Mami, të lutem, a mund të fle sot te gjyshja?

Sot në nje transport urban dëgjova një fëmijë duke pyetur nënën e tij: Nënë të lutem a mund të fle sot te gjyshja? Por ndërsa u ktheva për të parë fëmijën që me pyetjen e tij më ktheu në kohën e fëmijërisë sime, ai iku me nënën e tij dhe nuk pata mundësi të ndaja me të kujtimet nga fëmijëria ime.

Kur kaloi kaq shpejt ajo kohë?

Ne të rriturit jemi të mbingarkuar me gjëra të pa vlera. Çdo ditë ne luftojmë për diçka, dhe ndonjëherë nuk dimë as çfarë duam, dhe edhe nëse dimë se çfarë duam, nuk e dimë pse e duam atë, dhe kështu na kalojnë ditët nga jeta jonë – pa prioritete të cilat na përmbushin dhe na dhurojnë knaqësi shpirtërore.

Dhe pastaj një fjali si kjo dhe një kujtim nga shtëpia e gjyshes ku gjetëm gjithçka që na nevojitej dhe gjithë lumturinë, përmbushjen, qetësinë shpirtërore dhe sigurinë…

Shtëpia e gjyshes është një vend ku akrepat e orës donim ti ndalnim që koha të mos ikën me nxitim.

Shtëpia e gjyshes është një vend ku pjata e zakonshme me supë dhe buka e përsheshur me qumësht janë ushqimet më të shijshme në botë. Dhe shija e lëngut të qershisë së bërë në shtëpi është më e mirë se lëngu më i shtrenjtë i blerë në dyqan.

Shtëpia e gjyshes është një vend ku pasditja mund të zgjasë në pafundësi e megjithatë ne nuk ndihemi të mërzitur dhe gjithmonë ka paqe në zemër, një buzëqeshje në fytyrë dhe një kokë plot imagjinatë.

Në shtëpinë e gjyshes çdo gjë bëhet kaq e mundur… çdo gjë është kaq e thjeshtë, e megjithatë mban erë dashurie, bliri dhe luleshtrydhe të egra.

Shtëpia e gjyshes është vendi ku gjejmë kujtimet e fëmijërisë dhe jetës së prindërve tanë. Fatkeqësisht, nuk kam më mundësi ta kem këtë luks, të vizitoj gjyshen.

Ato kohërat do të mbeten vetëm në kujtimet e mia… kujtimet më të bukura të fëmijërisë. Por nëse mund të ëndërroja një ëndërr… dhe të kthehesha në një moment të jetës sime, nuk mendoj se do të hezitoja, por do të pyesja: Mami a mund të fle sot në shtëpinë e gjyshes?/natalmedia.com/

 

*Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi pa miratimin e drejtuesve të “natalmedia”

SHPËRNDAJE:

Related posts