𝐀 𝐢 𝐤𝐞𝐧𝐢 𝐝𝐢𝐭𝐮𝐫 𝐤ë𝐭𝐨 𝐠𝐣𝐞̈𝐫𝐚 𝐩𝐞̈𝐫 𝐤𝐚𝐧𝐜𝐞𝐫𝐢𝐧 𝐞 𝐪𝐚𝐟𝐞̈𝐬 𝐬𝐞̈ 𝐦𝐢𝐭𝐫𝐞̈𝐬?

Kanceri i qafës së mitrës brenda vitit ua merr jetën 311 mijë grave në mbarë botën.

 

Për një vit në Kosovë preken më shumë se 50 gra me kancer të qafës së mitrës. Shumica e rasteve të prekura nga kjo sëmundje ndodhen në faza të avancuara që qon deri në vdekshmërinë e grave.

Dy të tretat e grave I anashkalojnë kontrollave gjinekologjike dhe/ose nuk lajmërohen te gjinekologu me kohë.

90 per qind të rasteve me kancer të qafës së mitrës mund të ishin kapur me kohë dhe numri I vdekjeve nga ky shkak do të ishte ulur në minimum dhe rastet me kancer të qafës së mitrës do të ishin shumë të rralla.

Kur gjendet në fazën parakanceroze, 99 % te rasteve është i shërueshëm me trajtimin dhe ndjekjen e duhur.

 

Kanceri i qafës së mitrës zakonisht nuk ka simptoma në fazat e hershme.

 

Afërsisht 99% rasteve të kancerit të qafës së mitrës shkaktohen nga infeksioni me virusin seksualisht të transmetueshëm HPV (human papilloma virus).

 

Afërsisht 14 milion infeksione të reja me HPV zbulohen çdo vit.

 

Në dekadat e fundit, incidenca e HPV (virusi i papillomës njerëzore) dhe virozave gjenitale të shkaktuara prej tij është rritur gjashtëfish, kështu që thuhet se ato janë sëmundjet seksuale të transmetueshme më të zakonshme sot, të përhapura në mënyrë të barabartë midis të dy gjinive, veçanërisht tek të rinjtë e moshës 18 deri në 25 vjeç që kanë marëdhënie seksuale.

Sot, janë të njohura më shumë se 200 lloje të HPV, nga të cilat rreth dyzet lloje infektojnë kryesisht lëkurën dhe mukozën e organeve gjenitale. Disa pastrohen dhe largohen, por infeksionet që vazhdojnë mund të çojnë në probleme serioze shëndetësore.

Tipet më të zakonshëm të virusit, HPV 16 dhe HPV 18, janë përgjegjës për rreth 70 për qind të të gjitha rasteve të kancerit të qafës së mitrës dhe bëjne pjesë në kategorinë e viruseve gjenitale me rrezik të lartë.

 

Tipet me rrezik të ulët shkaktojnë lythat gjenitale (kondilomat).

 

Virusi HPV është shumë i përhapur dhe transmetohet lehtë. Mund të merret përmes një kontakti seksual të pambrojtur (mjafton vetëm një marrëdhënie seksuale e pambrojtur) ose një kontakti tjetër lëkurë me lëkurë të rajonit gjenital. Infeksionet me HPV transmetohen përmes kontaktit intim përmes të gjitha llojeve të marrëdhënieve seksuale (vaginale, anale, seksit oral dhe lythat gjenitale mund të ndodhin në zgavrën me gojë, perianale, gjenitale).

Virusi gjithashtu mund të transmetohet edhe përmes gishtërinjve ose objekteve të infektuara për përdorim intim.

HPV infekton shumicën e burrave dhe grave në moshë riprodhuese të paktën një herë gjatë jetës së tyre.

Hyrja e hershme në marëdhënie seksuale para moshës 18 vjeçare dhe ndërrimi I partnerëve rrit rrezikun e e infeksionit me HPV.

80% e grave seksualisht aktive janë të infektuara me ndonjë lloj virusi HPV gjatë jetës së tyre, por mbrojtja imune e trupit zakonisht lufton këtë infeksion dhe kalon spontanisht.

Te gratë, ashtu si edhe te meshkujt, infeksionet me HPV janë pa simptoma dhe jetëshkurtëra; trupi i eliminon ato spontanisht në më pak se dy vjet. Vetëm në një përqindje të vogël të femrave, infeksioni me një tip HPV-je me rrezik të lartë bëhet kronik.

Gjithashtu, prej këtyre infeksioneve kronike, vetëm një përqindje e vogël mund të përparojë në fazën parakanceroze, e më pak do të avansojë në kancer invaziv 10 deri 20 vjet më vonë.

Faktorët që fuqizojnë efektet e tipeve HPV me rrezik të lartë janë ekzistenca e sëmundjeve seksualisht të transmetueshme (p.sh. klamidia, mikoplazma, ureaplazma), përdorimi i kontraceptivëve, pirja e duhanit, imuniteti i përgjithshëm i ulur.

 

Shumica e grave nuk e dinë që janë të infektuara

 

Kur ka ndryshime në formën lythave gjenitale (kondiloma) të shkaktuara nga llojet e HPV me rrezik të ulët, ato referohen te mjeku, por ndryshimet në qafën e mitrës të shkaktuara nga llojet e HPV me rrezik të lartë mund të shihen vetëm nga ekzaminimi gjinekologjik, më saktësisht PAP testi, ekzamini kolposkopik dhe testi për HPV.

 

Infeksionet gjenitale HPV shfaqen klinikisht edhe tek burrat por më së shpeshti manifestohen në formën e llojeve të ndryshme të lythave gjenitale. Ata më shumë janë bartës sesa të sëmurë nga HPV virusi.

 

Kanceri i qafës së mitrës mund të shkaktojë gjakderdhje, por shumë gra përjetojnë cikël menstrual të parregullt, kështu që kjo mund të mos duket e pazakontë. Shpesh, sëmundja nuk shkakton dhimbje ose shenja të tjera të dukshme paralajmëruese, duke e bërë nevojën për kontrolla të rregullta shumë më të rëndësishme. Gratë që dyshojnë për një problem nuk duhet të injorojnë simptomat e tyre dhe të kërkojnë një vlerësim mjekësor.

 

Gjakderdhja pas marëdhenieve seksuale mund të jetë alarmi i vetëm.

 

Simptomat në fazat e mëvonshme përfshijnë gjakderdhje ose shkarkim jonormal, si dhe dhimbje gjatë marrëdhënies seksuale.

Diagnostikimi në kohë i kancerit të qafës së mitrës ndihmon në parandalimin dhe kapjen në kohë të sëmundjes dhe kështu trajtimin adekuat.

Një ekzaminim vjetor pa dhimbje i komblikut dhe një Pap-test periodik konsiderohet si një kontrollë rutinë për kancerin e qafës së mitrës. Me PAP-test, merren qelizat nga qafa e mitrës, në mënyrë që ato të mund të ekzaminohen për çdo anomali.

Të gjithë femrat duhen të bëjnë PAP testin një vit nga marëdhënia e parë seksuale pavarësisht moshës. Gjithsesi PAP testi rekomandohet për të gjitha femrat që në moshën 21 vjeçare. Pas moshës 30 vjeçare deri në moshën 65 vjeçare PAP testi duhet kombinuar me testin HPV.

Për sa kohë që rezultatet e tyre janë jonormale këto teste dhe testet e tjera duhet të bëhen sipas rekomandimeve të gjinekologut dhe patologut.

Sa më shumë që vajzat e reja dhe gratë të dinë për sëmundjen, aq më të mëdha janë shanset e tyre për të qenë në gjendje ta parandalojnë atë.

Shkalla e vdekjeve nga kanceri i qafës së mitrës ka rënë me më shumë se 50 përqind në katër dekadat e fundit pasi gratë kanë mësuar më shumë rreth rrezikut të tyre, dhe është rritur numri I grave që kanë bërë Pap-testin duke ndikuar që të të kontrollojnë sëmundjen.

 

Një mënyrë tjetër efikase në luftë kundër kancerit të qafës së mitrës është edhe vaksina kundër kancerit të qafës së mitrës e cila rekomandohet nga Organizata Botërore të Shëndetësisë. Rrjedhimisht kjo vaksinë është treguar 97 për qind efektive në parandalimin e kancerit të qafës së mitrës, vulvës dhe vagjinës dhe mbrojtjen nga llojet shtesë të llojeve HPV me rrezik të lartë dhe se nuk ka efekte të dëmshme.

Rekomandohet që djemt e rinj/burrat dhe vajzat e reja/gratë të moshës 9 deri në 26 vjeç, të vaksinohen kundër HPV.

Trajtimi për kancerin e qafës së mitrës përfshin kirurgji, terapi rrezatimi, kimioterapi, terapi biologjike ose interferon.

 

Asnje grua nuk do të duhej të sëmurej në stadin e kancerit invaziv të qafës së mitrës! Mund ta kapim shumë më herët.

Mendoni për shëndetin tuaj!/natalmedia.com/

 

𝐃𝐫 𝐒𝐚𝐦𝐢𝐫𝐞 𝐀𝐝𝐞𝐦𝐢 𝐋𝐮𝐭𝐨𝐥𝐥𝐢, 𝐬𝐩𝐞𝐜𝐢𝐚𝐥𝐢𝐬𝐭𝐞 𝐞 𝐠𝐣𝐢𝐧𝐞𝐤𝐨𝐥𝐨𝐠𝐣𝐢𝐬𝐞̈ 𝐝𝐡𝐞 𝐨𝐛𝐬𝐭𝐞𝐭𝐫𝐢𝐤𝐞̈𝐬

𝐌𝐣𝐞𝐤𝐞 𝐧𝐞̈ 𝐬𝐮𝐛𝐬𝐩𝐞𝐜𝐢𝐚𝐥𝐢𝐳𝐢𝐦 𝐩𝐞̈𝐫 𝐟𝐞𝐫𝐭𝐢𝐥𝐢𝐭𝐞𝐭

𝐏𝐡𝐝 𝐤𝐚𝐧𝐝𝐢𝐝𝐚𝐭𝐞.

 

 

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi pa miratimin e drejtuesve të “natalmedia”

SHPËRNDAJE:

Të ndryshme