Thatësia vaginale – shkaqet dhe trajtimi

 

Dr Samire Ademi Lutolli

Specialiste-Gjinekologe dhe Obstetre,

Specialiste në subspecializim për infertilitet

 

Një florë e shëndetshme vaginale zvogëlon rrezikun e infeksioneve gjenitale

Tek gratë, flora vaginale është një mbrojtje natyrale kundër infeksioneve gjenitale gjatë gjithë jetës dhe shëndeti i saj pasqyron shkallën e pastërtisë së sekrecioneve vaginale në grupe. Flora e shëndetshme vaginale përbëhet nga mikroorganizma “të mirë” që banojnë në vaginë dhe përfaqësojnë një lloj mburoje mbrojtëse kundër kolonizimit të mikroorganizmave “të këqinj” që mund të shkaktojnë infeksione të ndryshme gjenitale. Prezenca e ulët e acidit në zonën vaginale ndihmon në parandalimin e infeksioneve vaginale. Dëmtimi i florës vaginale mund të shkaktojë shumë shqetësime të pakëndshme. Duke qenë se tharja e vaginale ndodh më shpesh në moshën madhore, këto shqetësime bëhen edhe më të theksuara, dhe rreziku i infeksioneve urogjenitale është edhe më i madh.

Qelizat e qafës së mitrës normalisht sekretojnë një lëng që rreshton mukozën vaginale. Ky është një mekanizëm mbrojtës, i cili është përgjegjës për pastërtinë dhe shëndetin vaginal.

Kur ka sekretim të reduktuar, ndodh tharja e vaginës (tharja e mukozës vaginale), e cila shkakton një sërë simptomash të pakëndshme.

Gjatë periudhës së menopauzës, thatësia e zonës intime – brenda (në vaginë) dhe jashtë (në vulvë) – shkaktohet nga një rënie në prodhimin e hormoneve seksuale femërore (veçanërisht estrogjenit).

 

Mungesa e sekrecionit vaginal e bën lëkurën më të hollë dhe më të ndjeshme.

Rreth 50% e grave në menopauzë kanë probleme me thatësinë vaginale, megjithatë, mukoza e thatë vaginale gjendet gjithashtu në 17% të grave para menopauzës. Tharja e vaginës mund të ndodh edhe tek femrat më të reja, pas disa ndërhyrjeve (kirurgjikale në mitër apo vezore), gjatë ushqyerjes me gji, marrjes së pilulave apo edhe të një jete stresuese.

Simptomat:

Humbje e elasticitetit,

Irritim – ndjeshmëri e zonës vaginale,

Marrëdhëniet seksuale të dhimbshme,

Gjakderdhje gjatë aktit seksual

Lodhje e shpejtë gjatë aktivitetit fizik,

Infeksione të shpeshta urinare dhe urinim i shpeshtë.

Disa nga treguesit e thatësisë së mukozës vaginale mund të jenë kruajtje vaginale, ndjesi djegieje mbindjeshmëri, një ndjenjë shtrëngimi, si dhe dhimbje gjatë marrëdhënieve seksuale. Simptomat e tilla nuk duhen anashkaluar, por duhet gjetur shkakun dhe të fillohet sa më parë me trajtimin e problemit.

Shkaqet:

Shkaktarët e tharjes (lagështia më e dobët) e vaginës mund të jenë faktorë psikologjikë dhe fiziologjikë që ndikojnë në sekretimin e lëngjeve në zonën vaginale.

Faktorët psikologjikë përfshijnë stresin dhe ankthin që shkaktojnë thatësi vaginale.

Faktori fiziologjik më i zakonshëm është prodhimi i reduktuar i estrogjenit, hormoni femëror që e mban mukozën e vaginës të lagësht dhe elastike. Hormonet seksuale femërore janë baza e funksionit seksual të një gruaje. Këto hormone kushtëzojnë rritjen dhe zhvillimin e organeve seksuale, karakteristikat sekondare seksuale, si dhe riprodhimin. Hormonet seksuale sekretohen kryesisht në vezore.

Me kalimin e kohës, rënia e niveleve të estrogjenit mund të shkaktojë pasoja në lëkurë, muskuj si dhe çrregullime emocionale. Problemet e fshikëzës dhe thatësia vaginale janë gjithashtu një shqetësim i zakonshëm gjatë kësaj periudhe.

 

Lind pyetja, pse ulen nivelet e estrogjenit?

Menopauza

Permenopauzës

Gjatë ushqyerjes me gji

Pas lindjes

Çrregullime imunologjike

Pas heqjes së vezoreve

Gjatë kimioterapisë

Konsumimi i cigares

Përdorimi i barnave që ulin nivelet e estrogjenit (tamoxifen, antihistamine, barna kundër astmës)

Ka faktorë të tjerë fiziologjikë që çojnë në tharje vaginale. Kjo është më së shpeshti mënyra se si ju e mbani higjienën personale, si të trupit ashtu edhe në zonën tuaj intime. Bilanci i ndjeshëm i vlerës së pH në vaginë mund të dëmtohet lehtësisht nga sapunët me aromë të fortë dhe xhel dushi.

 Më pas aktiviteti i tepërt fizik, i cili edhe pse i nevojshëm për të mbajtur një peshë të shëndetshme dhe për të rritur energjinë, teprimi apo ushtrimet e rënda mund të prishin ekuilibrin hormonal, gjë që mund të shkaktojë tharje vaginale.

Disa faktorë të tjerë janë sigurisht lindja dhe ushqyerja me gji. Gjegjësisht, niveli i estrogjenit dhe progesteronit rritet gjatë shtatzënisë, por bie në mënyrë drastike pas lindjes. Këto ndryshime të papritura në nivelet e hormoneve në trupin tuaj mund të shkaktojnë thatësi vaginale pas lindjes.

Ushqyerja me gji është përgjegjëse për luhatjen e mëtejshme të hormoneve. Megjithatë, niveli i lagështisë në vaginë duhet të kthehet në normale kur të mbaroni ushqyerjen me gji.

Ekziston edhe një efekt anësor për shkak të marrjes së medikamenteve të caktuara. Meqenëse antihistaminet, të cilat zakonisht përdoren për trajtimin e alergjive, ndikojnë në prodhimin e histaminës në trup, ato mund të thajnë mukozën, përfshirë atë në vaginë. Disa antidepresantë gjithashtu mund të kenë këtë efekt. Nëse ballafaqoheni me thatësi vaginale dhe jeni të sigurt se arsyeja nuk është hormonale, atëher kushtoni vëmendje medikamenteve të cilët mund të jenë shkaktarët për thatësinë vaginale.

 

Thatësia vaginale si shkak i dhimbjes dhe shqetësimit gjatë marrëdhënieve seksuale

Lagështia e pamjaftueshme e mukozës vaginale mund të shkaktojë dhimbje specifike gjatë marrëdhënies seksuale. Ky është një sinjal që duhet të kërkoni ndihmë profesionale për të eliminuar problemin. Qëndrimet e gabuara dhe informacioni i dobët shpesh i shtyjnë gratë të durojnë në heshtje këtë gjendje, megjithëse është e mundur ta eliminojnë atë në një mënyrë relativisht të lehtë.

Disa nga mënyrat se si mund të parandaloni tharjen vaginale janë jashtëzakonisht të thjeshta dhe nuk kërkojnë shumë nga koha dhe përpjekjet tuaja. Ajo që është e rëndësishme është hidratimi! Është e rëndësishme për gjithë trupin, duke përfshirë zonën vaginale.

Duke marrë një sasi të mjaftueshme uji, sigurohet hidratimi i qelizave. Siç e kemi përmendur tashmë në tekst, kujdesi për zonën intime është i një rëndësie vendimtare. Larëset që nuk janë të destinuara për pjesën intime kanë një vlerë pH më të lartë dhe mund të çojnë në acarim dhe tharje të vaginës. Përdorni preparate të buta, të destinuara ekskluzivisht për kujdesin e pjesës intime, të cilat kanë përbërjen e duhur dhe vlerë të ulët pH. Ajo që mund t’ju ndihmojë gjithashtu është forcimi i muskujve të legenit, ose ushtrimet Kegel. Këto janë ushtrime që forcojnë muskujt e legenit dhe në këtë mënyrë ofrojnë mbështetje për të gjitha organet e legenit. Gjithashtu, ato çojnë në qarkullim dhe furnizim më të mirë të gjakut në zonën intime dhe ushqejnë tonin muskulor të murit vaginal.

 

Përveç këtyre zgjidhjeve në treg ekzistojnë produktet e veçanta, për problemet me tharjen vaginale, siç janë vaginaletat që përmbajnë acid laktik dhe hialuronik që lidh molekulat e ujit dhe molekulat e proteinave, duke krijuar një rrjet proteoglikane të rëndësishëm për ushqimin dhe hidratimin e mukozës atrofike vaginale, duke rritur kështu tonin dhe elasticitetin e saj. Acidi hialuronik lejon qelizat të ruajnë lagështinë në inde, gjë që ruan lagështinë dhe hidratimin e indeve dhe membranës mukoze, duke e bërë atë të shëndetshme dhe të lagësht.

Studimet kanë zbuluar gjithashtu se acidi hialuronik është efektiv në përshpejtimin e procesit të shërimit të plagëve dhe ruajtjen e një vlere optimale të pH.

 

Përveç zgjedhjes së duhur të mjeteve për ruajtjen e higjienës në pjesën intime, duhet të kujdeseni edhe për zgjedhjen e preparatit të duhur për trajtimin e thatësisë vaginale.

Nuk keni pse të jetoni me problemin e thatësisë vaginale, ky problem mund të zgjidhet. Kujdesi për veten le të jetë pjesë e rutinës së përditshme. /natalmedia.com/

 

 

 

*Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi pa miratimin e drejtuesve të “natalmedia”

SHPËRNDAJE:

Related posts