NËNË, për këtë festë nga larg për ty në vend të dhuratës me kurdele!

Ty, e cila më do pa kusht.
Ty, të cilën kurrë nuk mund ta dua ashtu si më do ti mua.
Ty, ritmi i zemrës të së cilës është e vetmja që më ka qetësuar.
Ty, që nga gjaku me qumështin tënd më ke ushqyer.
Ty, që më ke blerë dhe veshur me gjërat më të bukura të moshës.
Ty, që më ke blerë çdo vit çantën dhe librat e shkollës.
Ty, punimet e dorës të së cilës i kam futur në kornizë dhe i ruaj si trashëgimi.
Ty, së cilës prekja e duarve ka qenë dhe mbetet më e ngrohta.
Ty, e cila më ke vënë në gjumë me fjalët më të ëmbëla.
Ty, kur në çdo rast ke menduar çfarë dhe sa kam ngrënë dhe të mos fle e uritur.
Ty, që më ke mësuar të lexoj ende pa shkuar në shkollë.
Ty, që të kam parë në çdo mbledhje të prindërve dhe ke përcjellë notat e mia e më thoshe ndjehem krenare me ty.
Ty, që më bleje kompletin e librave të fundit që dilnin nga shtypi.
Ty, që në mëngjes më zgjoje për tu nisur në shkollë dhe me fusje copën e bukës në çantë.
Ty, që më incizoje epizodën e dashur të serialit derisa isha në shkollë që ta shikoja më vonë.
Ty, që më ke blerë instrumentet muzikore që të luaj në shtëpi.
Ty, që aroma e ushqimit të shijshëm na mblidhte rregullisht në tavolinë.
Ty, që më ke kushtuar kohë dhe energji duke patur durim të dëgjosh dhe të më këshillosh kur kisha nevojë.
Ty, që i ke humbur ndejat dhe argëtimet që të ishe pranë meje që të mos më lije vetëm.
Ty, që më ke mësuar të jem modeste dhe falenderuese për çdo gjë dhe ndaj çdo njeriu të mirë.
Ty, që më përkrahje në ëndërrat e mia.
Ty, që kur dola nga shtëpia më the shtëpia jote mbetet gjithmonë këtu.
Ty, që kur vija në vizitë më priste ushqimi im i preferuar i nxehtë dhe i shijshëm e më pyesje çfare të ka marrë malli të hash të të përgatis.
Ty, që nuk ankoheshe asnjëherë për të mos na rënduar dhe mos u ndjerë keq për sakrificën që bëje ndaj nesh.
Ty, që kur merrja rrugën për tu kthyer në shtëpi më mbushje qesen me ushqime që të përballoj rrugën e madje të kem rezervë që të mund të pushoj dhe të mësoj.
Ty, që më thoje nuk kanë rëndësi dhjetat dhe jeta studentore është më e bukura.
Ty, që kur diplomova më bleve dhuratën dhe më the jam krenare me ty.
Ty, që për çdo padrejtësi që të më ketë ndodhur e ke përjetuar më shumë se unë.
Ty, që mbaje merakun derisa kisha dhimbjet e lindjes.
Ty, para së cilës kam qarë në telefon kur nuk mund të mësoja sepse s’kisha fjetur gjithë natën dhe më thoje vi unë të të ndihmoj me bebin.
Ty, që edhe pse isha vetëm dhe larg të afërmve më thoje nuk je larg unë jam më afër sesa mendon ti.
Ty, që bëje 12 orë rrugë për të më parë dhe bërë çdo gjë në mënyrë që të mund ti jap bebit gji dhe të mund të pushoja.
Ty, që nuk ke fjetur me netë të tëra duke u brengosur për mua.
Ty, për të cilën nuk ka fund të shkruarit.
Dhe në fund ty e cila kurrë nuk u ndie e lodhur. Madje the se kam shpresë që të mos ndjehesh borxh me mua, shpresoj të mos kem nevojë të më shërbesh sepse jam krijuar nënë që të jem gjithmonë në shërbim të fëmijës tim.
Ty, që të shkruaj që ta dish se fëmija yt të do aq sa vetëm nëna mund të duhet.
Dhe atë çfarë nëne?
NËNA MË E MIRË NË BOTË./natalmedia.com/

 

 

 

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi pa miratimin e drejtuesve të “natalmedia”

 

SHPËRNDAJE:

Related posts