Shkruan: Pukjana Geci
Psikologe klinike
Agresiviteti është sjellje e papërshtatshme e individit që shfaqet në mënyra të ndryshme ndaj personave të tjerë, që nga fyerjet, zënkat, gënjeshtrat e deri tek sulmet fizike. Agresiviteti shfaqet qysh herët në fëmijëri dhe më së miri vërehet kur fëmija fillon të shkojë në çerdhe apo kur fillon t’i bashkohet ndonjë grupi social, dhe kjo sjellje agresive e përcjell edhe në moshën e adoleshencës.
Shkaktarët e agresivitetit:
Studimet psikologjike tregojnë se fëmijët e keqtrajtuar nga prindërit e tyre, bëhen më vonë prindër keqtrajtues për fëmijët e tyre. Nëse prindërit grinden shpesh në prani të fëmijëve, kjo situatë lë pasoja për të ardhmen e fëmijës duke menduar se problemet zgjidhen vetëm me grindje apo dhunë. Mendohet se shkaktarët e agresivitetit duhet kërkuar para së gjithash në edukim, respektivisht rrethanat në të cilat është gjetur fëmija dhe mënyrën se si veprohet me të. Fëmijët pasi të kenë shprehur agresivitetin e tyre dhe prindërit kanë reaguar në favor të kërkesës së fëmijës dhe kjo situatë krijon bindjen tek fëmija që çdo herë e më tepër të shpreh agresivitetin e tij për të përmbushur kërkesat e veta. Në këtë drejtim duhet theksuar dy aspekte:
- Rrethanat të cilat ndikojnë ose në një farë mënyre e përkrahin agresivitetin e që ka të bëjë me atmosferën në familje; grindjet, stresi dhe trauma në familje, fjalosjet, sjelljet agresive të anëtarëve të familjes, siç është edhe përdorimi i dhunës dhe konfliktet e shpeshta familjare.
- Ndërsa, aspekti tjetër ka të bëjë me përvojën e fëmijës të fituar në mësim, ku fëmija kupton se me sjellje agresive realizon atë çfarë dëshiron, lajkatimi i fëmijës pas ndonjë ndëshkimi eventual (fëmija për të marrë dashurinë princore bën një sjellje agresive, dënohet nga prindi, por e din se pas disa minutave do të përkëdhelet).
Keqtrajtimi fizik i vazhdueshëm i fëmijës, shkakton agresivitet të tepruar dhe këta fëmijë vetëm presin sa të rriten dhe t’i kthejnë shuplakat e marra, e kështu fëmijët vazhdojnë edhe në shkollë, shoqëri e kudo, prandaj mosha e adoleshencës është më e përshtatshme për të shprehur agresivitetin e tepruar, sepse në këtë moshë fëmijët e ndjejnë veten më të rritur dhe më të sigurt për të shfaqur sjellje të papërshtatshme. Fëmijët bëjnë sjellje të papërshtatshme për arsye se nuk arrijnë t’i plotësojnë nevojat e tyre, siç është nevoja për dashurinë e prindërve, mësimdhënësve apo edhe të shokëve, dhe në mungesë të kësaj nevoje nxënësit shprehin edhe agresivitet.
Parandalimi i agresivitetit te fëmijët fillon duke krijuar një mjedis pozitiv dhe mbështetës në shtëpi – familje, shkollë.
Këtu janë disa këshilla për prindërit që mund të ndihmojnë në parandalimin e agresivitetit te fëmijët:
- Komunikoni me fëmijën tuaj në mënyrë të rregullt dhe pozitive: Bisedoni me fëmijën tuaj dhe dëgjoni atë. Përpiquni të jeni pranë fëmijëve tuaj dhe t’i kushtoni kohë dhe vëmendje atyre. Mundohuni ti shpjegoni që sjellja e tyre agresive është e pa përshtatshme.
- Nxitni shprehjen e ndjenjave: Fëmijët mund të tregojnë agresivitet nëse nuk dinë mënyra se si ti shprehin ndjenjat e tyre.
- Pranoni dhe kuptoni nevojat e fëmijeve tuaj.
- Largojeni ndeshkimin fizik, kontrolloni emocionet tuaja (fëmija vezhgon se si ju silleni në raport më të andaj nuk mund të zhdukim një sjellje të padëshiruar duke e modeluar vet), provat janë të qarta: të bërtiturit dhe goditja thjesht nuk funksionojnë dhe mund të bëjnë më shumë dëm sesa dobi në planin afatgjatë. Studimet kanë treguar se ky lloj ndëshkimi bën që fëmijët të kenë më tepër probleme psikologjike në adoleshencë dhe në moshë të rritur(Cluver, 2019).
- Modeloni sjellje të duhura dhe shpërbleni fëmijët kur i bëjnë ato, sjellja e cila shpërblehet ka gjasa të përëseritet.
- Përforcimi pozitiv: Bëj një kompliment për një përpjekje të mirë! Nëse fëmija sillet mirë, nuk bëhet agresiv,bashkëpunon, shpërbleje menjëherë me lavdërim, vëmendje ose gjëra të mira.
- Disiplinimi nuk ndodh brenda një natë, por kërkon vazhdimësi dhe durim.
- Shpjegoni që pas një sjellje agresive ekziston një pasojë( Pasojat nuk janë ndëshkime) p.sh(Kur fëmijët gjuajnë lodrat në tokë, ata i mbledhin vetë ato).
- Në mënyrë të papërshtatshme, prindi i jep vëmendje, duke përforcuar sjelljen e papërshtatshme. Reagimi i duhur do të ishte: Prindi duhet të presë derisa fëmija të qetësohet dhe të flasë sjellshëm, më pas të shpërblejë sjelljen e mirë me vëmendje.
- Asnjëherë mos injoro një situatë, ku fëmija nuk i bindet rregullave!
- Monitoro kohën dhe programet që sheh fëmija në TV!
- Mësojini fëmijët ndaj të cilëve është drejtuar dhuna të thonë “Kjo të dhemb”!
- Jepini fëmijës shembuj se si të jetë ndihmues me duart e tij (duart janë për … jo për…)!
Strategjitë qe duhet të përdorin mësimdhënësit për të reduktuar sjelljeve agresive tek fëmijët.
Reduktimi i sjelljeve agresive mund të bëhet përmes disa strategjive të cilat u rekomandohen mësimdhënësve e që kanë të bëjnë me sjelljet e papërshtatshme të nxënësve në klasë, duke përfshirë edhe agresiviteti.
- Për ta reduktuar sjelljen e papërshtatshme, në këtë rast agresivitetin, duhët fillimisht të kuptohën arsyet apo motivet e sjelljes agresive.
- Nxënësit të cilët bëjnë sjellje të papërshtatshme kanë një qëllim të caktuar për faktin se nuk ndihen të barabartë me të tjerët dhe përmes sjelljeve të papërshtatshme dëshirojnë të tërheqin vëmendjen e mësimdhënësit; dëshirojnë të fitojnë autoritet nga shokët e klasës apo edhe të hakmerren.
- Mësimdhënësi duhet të ketë qasje demokratike ndaj nxënësit agresiv duke mos ndërmarrë ndëshkime, ai duhet kuptuar qëllimin e sjelljes agresive të nxënësit, në mënyrë që të ndryshohen ato qëllime,
- Sjellja e papërshtatshme duhet modifikuar me përforcues pozitiv. Mësimdhënësi duhet të vendosë rregulla në klasë dhe njëkohësisht t’i sqarojë ato, gjithashtu të çmoj nxënësit për sjelljet e mira etj.
- Vendos rregullin duke thënë p.sh “Nuk lejohet goditja”!
- Modeloni sjellje për fëmijën. Mënyra se si ju e ndihmoni atë të zgjidhë një konflikt shpesh është shumë më efektive dhe instruktuese se sa shumë e shumë fjalë.
- Kërkoni fëmijës të japë mendimin e tij: çfarë do ta ndihmonte për te larguar agresivitetin e tij./natalmedia.com/
Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi pa miratimin e drejtuesve të “natalmedia”