A DUHET LARË I SËMURI ME SËMUNDJEN “LIJA E UJIT”

 

Shkruan: Dr.Ismail Lutolli

Specialist Pediatër

Subspecialist Dietolog – Nutricionist

Subspecialist Hematolog & Onkolog

 

Një fëmijë me sëmundjen “lija e ujit“ duhet pastruar vazhdimisht, që nga dita e parë.

Arsyeja është e lehtë për t’u kuptuar – infeksioni krijon “kratere” në lëkurë të cilat përfaqësojnë një derë të hapur për infeksione bakteriale.

Në qoftë se një fëmijë nuk bën pastrimin e rregullt, pra dush për çdo ditë, ka mundësi shumë të mëdha që nga një infeksion virusal i përcjellur me lezione të lëkurës, të komplikohet edhe instalimin apo marrjen e një infeksioni bakterial të mundshëm, i cili do e komplikojë gjendjen që po kalon një fëmijë me sëmundjen “lija e ujit”.

Gjithmonë ekziston një mundësi reale që bakteriet të cilat jetojnë normalisht në lëkurë të krijojnë probleme duke aktivizuar një infeksion të mundshëm, ndërkohë që te një fëmijë i cili po kalon lijen e ujit, kjo mundësi është shumë më e madhe, për arsye se lëkura dhe mikrovatrat infeksioze janë të mbuluara me pudër me të cilin lyhet fëmija, si dhe kanë prezencë edhe të djersës e papastërtive tjera. Pra, mospastrimi krijon një rast ideal për të filluar një infeksion i ri bakterial i cili do e komplikojë shumë procesin e shërimit nga “lija e ujit”, ndërkohë që shenjat që do të ngelin pas shërimit janë shumë më të mëdha nëse vie deri te infeksioni si pasojë e mospastrimit të përditshëm.

 

KUJDES: Fëmija duhet të lahet për çdo ditë, dhe më e mira do ishte të vendosni në dush për pastrim më të lehtë. Pas larjes merreni një peshqir të lehtë dhe ngadalë dhe butësisht e thani lëkurën dhe pastaj mund t’i vendosni përsëri pudër.

Flokët ne nuk duhet të lahen tek një fëmijë që ka sëmundjen “lija e ujit” derisa të ketë kaluar sëmundja.

Tërsisht e gabuar !

KUJDES: Flokët duhet të lahen për çdo ditë dhe të thahen ngadalë pa i fërkuar me peshqir, pastaj vendoset pudra.

Ne duhet të kuptojmë se gjatë sëmundjes “lija e ujit” kemi formim të vezikulave (fshikave të mbushura me lëng). Kur vezikulat çahen, formohen koret (krustat) të cilat do të bien pas një ose dy javësh.

Gjatë këtij procesi, në kokë përpos që kemi formim të vezikulave, kemi edhe prezencë të miliona bakterieve, shumë më shumë sesa në lëkurën e trupit. Gjithashtu kemi flokë me yndyrën përkatëse e papastërti tjera, të cilat së bashku formojnë një mjedis ideal për infeksione të mundshme. Duke ditur se e tëra shoqërohet me një prurit (kruajtje) mjaft të shprehur, atëherë mospastrimi i rregullt i kokës, nënkupton mundësi të mëdha për infeksione bakteriale. Nuk ka dyshim – flokët duhet të lahen rregullisht, edhe më shpesh se para shpërthimit të sëmundjes “lija e ujit”/natalmedia.com/

 

*Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi pa miratimin e drejtuesve të “natalmedia”

SHPËRNDAJE:

Related posts