NDIKIMI I PËRTYPJES NË ZHVILLIMIN E TË FOLURIT

Shkruan: Egzona Maloku

Logopede

 

Sipas rekomandimeve të OBSH në 7-12 muajsh fëmija zhvillon aftësinë e kafshimit, përtypjes, lëvizjeve anësore të gjuhës dhe lëvizjen e ushqimit te dhëmbët me anë të gjuhës. Foshnjet fillojnë ushqimin pure kur mbushin 6 muaj, nga 7-9 muajsh konsistenca e ushqimeve bëhet më e trashë dhe kur foshnjet mbushin 8-9 muajsh duhet t’i ofrohen ushqime në forma të ngurta si biskota, fruta të buta, ndërsa kur mbushin 10-12 muaj foshnja duhet të mësohet me ushqime të grimcuara me 3-5mm. Në moshën 1,5- 2 vjeç fëmija duhet të përtyp ushqimin plotësisht të ngurtë.

 

Një vonesë në futjen e lëndëve të ngurta me tekstura të ndryshme mund të dërgojë te një fëmijë që nuk pranon shije dhe tekstura të ndryshme si dhe një vonesë në përtypje dhe zhvillimin e muskujve oral që mund të ndikoj në tingujt e të folurit më vonë. Të folurit është një funksion dytësor që përdor të njëjtat struktura anatomike që përdoren për ushqim dhe frymëmarrje. Përtypja luan rol të rëndësishëm në zhvillimin e të folurit sepse ndihmon në zhvillimin e aftësive motorike orale (gojës, buzëve, gjuhës, faqeve, nofullave), gjatë përtypjes fëmijët fillojnë të praktikojnë koordinimin e muskujve oral. Përdorimi i ushqimeve të ngurta te fëmijët ndihmon në mandibulë të fortë si dhe muskujt labial (ndihmojnë në mbajtjen e ushqimit brenda zgavrës së gojës si dhe me tingujt bilabialë në të folur: m, p, b), poashtu përtypja është thelbësore për tinguj të ndryshëm (t ,d, k,g), për artikulim më të mirë dhe ekspresivitet më të lartë.

 

Përtypja ndikon në zhvillimin e fytyrës (madhësinë, formën, dendësinë e eshtrave të nofullave), në zhvillimin e trurit (përmirëson rrjedhjen e gjakut në tru, përqëndrimi më i mirë, kontrolli i impulsit, reduktimi i stresit), shëndetin dentar (stimulon prodhimin e pështymës), ndikon në shëndetin e përgjithshëm (zvogëlon rrezikun e mbi peshës, zvogëlon rrezikun e dispepsisë, neutralizon oksidantët)./natalmedia.com/

 

*Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi pa miratimin e drejtuesve të “natalmedia”

SHPËRNDAJE:

Related posts