A është e vërtetë që djegësira që kam nga lukthi vjen sepse bebeja në bark ka shumë flokë?

 

Pyetje:

A është e vërtetë që djegësira që kam nga lukthi vjen sepse bebeja në bark ka shumë flokë?

Përgjigje:

Në popull është shumë e përhapur kjo thënie. Besohet se një bebe në bark me shumë flokë është pikërisht shkaku i urthit (djegësirës në gjoks nga lukthi).

Dikujt mund ti tingëllojë si një ‘thënie e plakave’ dhe qesharake por ky besim është aq I përhapur në gjithë botën sa më në fund edhe mjekët e testuan si fenomen.

Shkencëtarët në Universitetin Johns Hopkins kryen një studim për të përcaktuar më në fund nëse urthi që përjetojnë gratë gjatë shtatzënisë dhe sasia e flokëve të bebeve të tyre në bark janë të lidhura në ndonjë mënyrë.

Studimi i publikuar në revistën Birth, përfshiu 64 gra shtatzëna, 78 për qind e të cilave kishin urth të shpeshtë gjatë shtatzënisë. Ato kanë deklaruar për shkallën e urthit dhe studiuesit monitoruan rezultatet. Pasi gratë lindën, studiuesit shikuan fotot e kokës së foshnjave të tyre dhe përdorën një shkallë për të vlerësuar vëllimin e flokëve tek të porsalindurit. Doli se, nga 28 gra që kishin urth mesatar deri në të rëndë, 23 prej tyre lindën foshnja me një sasi mesatare ose mbi mesataren e flokëve. Nga ana tjetër, 10 nga 12 gra që nuk kishin urth kanë lindur fëmijë me shumë pak ose pa flokë.

Ndërsa tingëllon sikur ekziston një lidhje midis urthit dhe sasisë së flokëve që ka një bebe, kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht efekt shkak pasojë. Me fjalë të tjera, me gjasë nuk janë qimet në kokën e bebes tuaj që në fakt shkaktojnë urthin tuaj.

Hulumtime të tjera kanë treguar se nivelet e larta të hormoneve progesteron dhe estrogjen dhe hormoneve të tjera gjatë shtatzënisë mund të relaksojnë muskulin rrethor në bazën e ezofagut dhe kështu bën që acidet e stomakut të ‘rrjedhin’ dhe të shkaktojnë djegësirë në gjoks.

Prandaj, nëse keni nivele të larta të hormoneve, ka më shumë gjasa të keni urth gjatë shtatzënisë. Fëmija juaj gjithashtu, për arsye të hormoneve do të ketë më shumë gjasa të ketë më shumë flokë kur të lindë.

Megjithatë, mund të jeni të sigurtë: flokët e fëmijës suaj nuk prekin ezofagun tuaj në asnjë mënyrë dhe nuk shkaktojnë urth, është fizikisht e pamundur!

Dr Samire Ademi Lutolli

Gjinekologe dhe Obstetre./natalmedia.com/

 

 

*Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi pa miratimin e drejtuesve të “natalmedia”

SHPËRNDAJE:

Related posts