Zëri i nënës pakëson dhembjen e foshnjës në kujdesin intensiv

 Foshnjat e lindura parakohe në të shumtën e rasteve duhet të kalojnë ca kohë të ndara nga prindërit e tyre në njësitë e kujdesit intensiv për të sapolindurit. Gjatë qëndrimit të tyre, ata mund të jenë të ekspozuar ndaj procedurave të shumta dhe të dhimbshme mjekësore.

Roli i prindërve gjatë qëndrimit të foshnjës në kujdesin intensiv është i rëndësishëm Dr. Manuela Filippa, autore e hulumtimit nga Universiteti i Gjenovës, shpjegoi se ky hulumtim jo vetëm që kontribuon për të sapolindurit, por edhe për prindërit e tyre.

Ajo u tregon atyre rolin vendimtar që zëri i nënës, zëri i babait dhe prania e tyre luajnë një rol të rëndësishëm gjatë shërimit të foshnjës në kujdesin intensiv. “Ne po përpiqemi të gjejmë mënyra jo-farmakologjike për të reduktuar dhimbjen tek këto foshnja,” tha ajo. Ajo shtoi se një mori provash tregojnë rëndësinë e kontaktit midis prindërve dhe foshnjave të lindura parakohe. Dr. Filippa deklaroi se ekipi i saj u përqendrua në të folurit e prindërve, duke pasur parasysh se nuk është gjithmonë e mundur që prindërit të mbajnë fëmijët e tyre, ajo thekson se zëri i prindërve mund të jetë një mënyrë shumë e fuqishme për të përcjellë emocionet tëk foshnjat që gjenden në kujdesin intensiv.

Dr. Fillipa dhe ekspertë të tjerë nga Universiteti i Gjenovës nga Spitali i Fëmijëve Bosisio Parini në Itali, dhe nga Universiteti i Valle d’Aosta, në raportin e tyre të botuar në revistën shkencore Scientific Reports, shpjeguan se ata vëzhguan përgjigjet e dhimbjes në 20 fëmijë të lindura para kohe në njësinë e kujdesit intensiv për të sapolindurit.

Ata e kontrolluan këtë me një procedurë rutinë për të kapur këmbën e fëmijës dhe për të marrë disa pika gjaku. Ekipi i ekspertëve vërejti reagimet e fëmijëve të ekspozuar rastësisht ndaj tri situatave të ndryshme: kur nëna flet me fëmijën, kur i këndon dhe kur nëna nuk është e pranishme. Ekspertët matën nivelin e dhimbjes tek foshnjat bazuar në tre tregues: shprehjet e tyre të fytyrës, rrahjet e zemrës dhe nivelet e oksigjenit. Shprehjet e fytyrës u studiuan më pas nga ekspertë që nuk e dinin se në cilën nga tri situatat u ekspozuan fëmijët.

Nivelet e dhimbjes u ulën kur foshnjat dëgjojnë zërin e nënës së tyre. Rezultatet treguan se nivelet e dhimbjes tek foshnjat ranë nga 4.5 në 3 (në shkallën 0-21) në situata kur dëgjuan zërin e nënës.

Autorja e hulumtimit Filippa shpjegoi se në një moshë kaq të hershme ky është një ndryshim shumë i rëndësishëm i reagimeve. “Oksitocina është e njohur për të qenë e pranishme në zhvillimin e lidhjes, dhe në ndjeshmërinë e nënës. Ajo gjithashtu mund të mbrojë nga dhimbja,” tha ajo. Ajo shtoi se reduktimi i nivelit të dhimbjes është më pak i dukshëm në situatat ku nënat u këndonin fëmijëve.

Kjo mund të tregojë «kufizime në strukturën, fjalët, tonin dhe melodinë e këngëve». Ajo shtoi se “mesazhi kyç i hulumtimit është rëndësia e përfshirjes së zërit prindëror në një fazë të hershme të kujdesit për foshnjat para kohe. Në veçanti, kjo vlen për situatat ku ata janë të ekspozuar ndaj trajtimeve të dhimbshme./natalmedia/

 

 

*Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kompjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forne tjetër për qëllime përfitimi pa miratimin e drejtuesve të “natalmedia”

 

SHPËRNDAJE:

Related posts