Vëmendja e tepërt e prindërve ndonjëherë mund të jetë e dëmshme për fëmijët

Pse prindërit që përqendrojnë gjithë vëmendjen te fëmijët e tyre rritin individë depresiv

Njoh shumë prindër që thonë fjali si: “Unë jetoj për fëmijët e mi”. Fëmijët e mi janë e vetmja gjë e rëndësishme në jetën time. Unë punoj vetëm që ata të kenë sukses dhe të mbarojnë universitetin”.

Prindër të tillë heqin dorë nga interesat e tyre, nuk e përdorin kohën për veten e tyre. Nëse ndodh që dalin nga shtëpia, e cila nuk bën pjesë në kategorinë e daljeve rutinë për të shkuar në punë apo tregti, prindër të tillë sillen sikur do të shkojnë në një udhëtim pesëmbëdhjetëditor në Lindje. Ata u përsërisin fëmijëve njëqind herë se çfarë duhet të bëjnë, u kërkojnë falje për daljen nga shtëpia dhe sapo arrijnë në destinacionin e tyre, i thërrasin për të kontrolluar nëse gjithçka është në rregull.

Rritja e fëmijëve është gjithmonë një sfidë për prindërit, e cila zmadhohet në rastin e prindërve beqarë dhe të divorcuar. Ata, thuajse si rregull, ndihen fajtorë për shkak të zgjedhjes së gabuar të partnerit dhe në të njëjtën kohë kanë frikë se për shkak të këtij dështimi, fëmijët e tyre rrezikojnë probleme emocionale. Prindër të tillë pa diskutim zgjedhin të mos mendojnë më për veten e tyre, duke e përqendruar gjithë vëmendjen te fëmijët. Prindër të tillë duket se ndjejnë një ndjenjë të vazhdueshme faji dhe nevojën për të justifikuar veten për këtë.

Kur neglizhoni veten dhe nevojat tuaja për të mirën e fëmijëve tuaj, nuk po u bëni atyre favore. Çfarë po u mësoni atyre në të vërtetë nëse i shpërfillni nevojat tuaja për ta?

 

Ku qendron problemi?

Pse prindërit që përqendrojnë gjithë vëmendjen dhe kujdesin e tyre tek fëmijët e tyre, në të vërtetë rritin individë depresivë dhe të shqetësuar?

Përgjigja qëndron në vetë frikën e prindërve nga ndarja. Prindërit nuk duan që fëmijët e tyre të rriten. Kujdesi për fëmijët dhe zgjidhja e problemeve të tyre u shërben atyre si një mjet për të mbushur “gropat e tyre psikologjike” dhe për këtë arsye vazhdojnë të ndërhyjnë në jetën e tyre edhe kur janë në fazën e pjekurisë së thellë. Në ditët e sotme prindërit kanë më pak fëmijë, investojnë në to dhe presin që fëmijët të plotësojnë dëshirat e tyre dhe t’i bëjnë të lumtur me arritjet e tyre (jo pak prindër kanë strategjitë e duhura për fëmijët e tyre, që nga zgjedhja e shkollës deri tek partneri i jetës).

Ky lloj stili edukativ ka efektin që në “divanin e psikoterapisë” takojmë gjithnjë e më shumë njerëz të rinj, të brishtë, të cilët përjetojnë një avari të vërtetë nëse ndodh diçka që nuk është sipas pritshmërive dhe dëshirave të tyre.

Ajo që të rriturit shpërfillin është fakti se fëmijët pa përvoja stresuese si shqetësim, dështim, përpjekje të mëdha për të arritur diçka – nuk mund të zhvillojnë “rezistencë psikologjike”.

Në qarqet teorike dhe profesionale po debatohet për diçka që i ngjan, guxoj të them, “inflacionit të narcisizmit”. Narcistët janë të lumtur në fëmijërinë e hershme kur janë qendra e shtëpisë së familjes, por ndërsa rriten dhe përballen me botën me besim narcisist, shfaqen depresioni dhe ankthi.

Në fazën e rritjes, problemet grumbullohen. Individë të tillë kanë komprometuar aftësitë për të bashkëpunuar me të tjerët, vështirësi për të përballuar kufizimet. Në punë presin që gjithçka të jetë interesante, sepse kështu janë mësuar. Ata janë rezistent ndaj kritikave të shefit, duke pritur lëvdata të vazhdueshme./natalmedia.com/

 

 

 *Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjoh en, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi pa miratimin e drejtuesve të “natalmedia”

 

 

 

SHPËRNDAJE:

Related posts