Mona Lisa afgane: Historia e dhimbshme e jetës së vajzës së famshme afgane

Edhe pse nuk dihet se çfarë ka ndodhur aktualisht me të, historia e saj është sërish aktuale dhe është sërish një simbol i refugjatëve dhe jetës së grave në Afganistan.

Ndërsa punonte për historinë e luftës në Afganistan në vitin 1984, fotografi Steve McCarthy vizitoi të gjithë zonën, duke përfshirë Pakistanin, ku kishte tre deri në katër milionë refugjatë afganë në atë kohë.

Një ditë, në një kamp afër Peshavarit, ai dëgjoi zëra nga një tendë. Ishte një shkollë për vajza. Me lejen e mësuesit, ai bëri një seri fotografish, duke përfshirë një portret të Sharbat Gule-it të atëhershme 12-vjeçare.

Ai portret dhe sytë e saj të gjelbërt depërtues u bënë simbol i refugjatëve.

Sharbat Gule lindi në vitin 1972 në një familje të varfër që jetonte në Afganistanin lindor, afër kufirit me Pakistanin. Nëna e saj vdiq nga apendiciti kur Sharbat ishte tetë vjeç dhe babai i saj u vra gjatë një sulmi ajror.

Në kohën kur u bë fotografia, Sharbat e dinte tashmë se çfarë ishte vuajtja.

Kur forcat sovjetike pushtuan Afganistanin në vitin 1979, Sharbat, si qindra mijëra afganë, me gjyshen, katër motrat dhe një vëlla, u detyrua të linte shtëpinë e saj. Ata ikën në Pakistan ku jetuan në një kamp refugjatësh në periferi të Peshavarit.

 

Fotoja e famshme e vajzës afgane u shfaq në kopertinën e revistës National Geographic në qershor 1985.

U rreshtuan çmimet e fotografisë dhe ajo as që ishte në dijeni se ishte bërë e famshme.

Pas rënies së pushtetit taleban në vitin 2001, Steve McCarthy vendosi të kërkonte sërish vajzën afgane. Ai e gjeti atë në vitin 2002 në Pakistan.

“Pas disa muajsh kërkime, u zhgënjeva me dështimin dhe desha të hiqja dorë. Më pas takova një burrë që dëshmonte se Gula ka jetuar në lagjen e tij 10 vjet më parë. Disa ditë më vonë, burri solli një djalë, sytë e të cilit kishin të njëjtën ngjyrë si Sharbat Gula.

Kur erdhi motra e tij kuptova menjëherë që ajo ishte perballë meje, sytë e saj i kishin mbetur të njëjtë ashtu si dhe tiparet e fytyrës ndonëse kishin kaluar 16 vjet që e kisha takuar.

Ende shihja forcën në vështrimin e saj. Sytë megjithatë, kishin humbur entuziazmin dhe forcën e tyre rinore, por ajo ishte ende e bukur, pavarësisht rrethanave të vështira të jetës me të cilat ishte përballur”, kujtoi McCarthy në një intervistë dhe më vonë ai realizoi dokumentarin Afgan Girl.

Në një intervistë për BBC, Sharbat Gula ka kujtuar momentin kur zbuloi se ajo ishte personazhi në kopertinën e revistës. Ajo tha se fillimisht ishte e shqetësuar, mendoi se mund ta dënonin paraqitjen e saj në media.

 

“Kur vëllai im më tregoi foton, unë e njoha veten dhe i thashë: Po, kjo është fotografia ime. Isha e shqetësuar për publicitetin rreth fotos, por kur kuptova se mund të ndihmonte shumë njerëz dhe refugjatë isha e lumtur”, ka pranuar Sharbat Gula. E vështirësitë vazhduan të pasonin.

Në moshën 13-vjeçare, Sharbat u martua me Rahmat Gul, me të cilin pati pesë fëmijë. Rahmat ishte i infektuar me hepatit C, nga i cili vdiq në vitin 2011. Edhe vajza e tyre e madhe vdiq nga hepatiti në vitin 2013, duke lënë pas një vajzë tre muajshe.

Në vitin 2016, pothuajse 2.5 milionë afganë jetonin në Pakistan, shumica e tyre ilegalisht. Me dokumente false u kap edhe Sharbat Gula, e cila në atë kohë përfundoi në burg.

Pas negociatave mes dy qeverive, Pakistanit dhe Afganistanit, atëherë Sharbat dyzet e pesë vjeçare u deportua me fëmijët e saj në Kabul, ku iu dha një shtëpi.

Nuk dihet se çfarë i ndodhi Sharbatit gjatë marrjes së Kabulit nga talebanët, përveç se kushedi sa herë në jetën e saj sytë e saj dëshmuan trazira të mëdha./natalmedia.com/

 

 

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi pa miratimin e drejtuesve të “natalmedia”

SHPËRNDAJE:

Related posts