Kërthiza tek i porsalinduri – kujdesi

Shkruan: Dr Ismail Lutolli 

Specialist Pediater

Subspecialist Dietolog -Nutricionist

Derisa foshnja është në mitër në ngrohtësinë e nënës, gjithçka çfarë i duhet e merr prej nënës përmes placentës dhe kordonit umbilikal.

Pas lindjes së foshnjës, në sallën e lindjes ky kordon menjëherë prehet dhe pjesa e ngelur shtrëngohet me një kapëse plastike. Në kordon nuk ka mbaresa nervore (aty ndodhen një arterie dhe dy vena), kështu që as nëna e as foshnja nuk do të ndjejnë dhimbje.
Pasi të prehet kordoni, në vendin ku ka qenë i ngjitur për barkun e foshnjës, do të mbetet një cungel i gjatë rreth 3 centimetra.

Ky cungel duhet të mbahet pastër derisa të bie. Cungeli i kërthizës mund të bie prej ditës 5 deri 12 pas lindjes. Mesatarisht bie rreth ditës së 7 pas lindjes.

Në fillim ngjyra e kordonit është e verdhë ose gjelbër, duke shkuar në ditët në vazhdim në ngjyrë kafe të errët ose të zezë, derisa të bie vetvetiu.

Është e rëndësishme që kordonin të mbani të pastër, pasi enët e gjakut që ndodhen në kordonin umbilical janë mundësi e madhe për infeksion ose depërtim të baktereve. Foshnja juaj duhet larë dhe kordonin mund të pastroni me peceta të lagura me ujë të vakët. Pra, foshnja lahet nga fillimi dhe nuk ka nevojë të pritet rënia e kërthizës për të filluar pastrimin e foshnjës tuaj.

Është e rëndësishme që kordoni të thahet pas larjes. Duke u tharë do të shpejtoj rënëa e tij. Nuk është mirë të mbulohet kordoni me pelenë pasi kjo do irritojë lëkurën përreth.

 

 

Kordoni ka rënë, çfarë të bëjmë tani?

Pasi që të bie kërthiza, në barkun e foshnjës mbetet një plagë e cila do të shërohet për 7-10 ditë. Nga plaga mund të rrjedhë pak gjak, por kjo është normale prandaj mos u shqetësoni.

Prindërit duhet të kenë kujdes që:

Pas rënies së kordonit duhet mbajtur në pastërti të plotë pjesën e ngelur pasi ka mundësi të infektohet;

Për pastrimin e pjesës së mbetur mund të përdoret alkool etilik 70 për qind dhe garza sterile (në asnjë mënyrë nuk guxon të përdoret, pelena, vata jo sterile apo edhe kruajtëse e veshëve pasi këto nuk janë mjete sterile);

Bëhet pastrimi i plotë i duarve (dhe nëse keni doreza sterile i vendosni ) dhe marrim një garzë sterile dhe pasi e kemi lagur me alkool etilik 70 për qind e vendosim mbi pjesën e rënë të kërthizës. Pasi e kemi lënë për pak sekonda sa të ketë lagur tërë pjesën, e tërheqim në një drejtim nga poshtë pa e rikthyer sipër. Pra vetëm në një drejtim;

Marrim gazën e re sterile dhe pasi e kemi lagur me alkool e fshijmë lëkuren përreth kërthizes, por përsëri vetëm në një drejtim pra pa u kthyer para e pas.

Pas kësaj është shumë e rëndësishme që të ketë tharje të plotë, duke e lenë të hapur për 2 deri në 3 minuta dhe pastaj i vendosim një garzë sterile të thatë;

Fiksimi duhet të jetë më ngjitës për bebe që të mos shkaktojmë irritim të lëkurës.

E tërë plaga do të mbyllet për pak ditë. Nëse gjatë kësaj kohe kemi ndonjëherë ndonjë pikë gjaku, nuk është shqetësuese.

Paraqitja e skuqjes apo edhe qelbëzimit është arsye për tu drejtuar për ndihmë të mjeku.

Gjate tërë kësaj kohe, mund ti bëni banjë fëmijës tuaj, vetëm do e mbuloni me një garzë vendin e kërthizës gjatë larjes dhe pas përfundimit ta thani mirë./natalmedia.com/

 

*Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi pa miratimin e drejtuesve të “natalmedia”

SHPËRNDAJE:

Related posts