Keni dëgjuar për “ftohjen e vezoreve” – Çfarë ndodh në të vërtetë me vezore?

Dr Samire Ademi Lutolli

Specialiste-Gjinekologe dhe Obstetre,

Specialiste në subspecializim për infertilitet

 

Simptomat e inflamacionit të vezoreve – më së shpeshti shfaqen për shkak të një infeksioni vaginal dhe mund të ndikojnë në fertilitetin.

 Simptomat e inflamacionit të vezoreve.

Inflamacioni i vezoreve më së shpeshti prek femrat ndërmjet moshës 25 dhe 35 vjeç, por mund të ndodhë edhe më herët – në vitet e adoleshencës madje edhe gjatë menopauzës. Inflamacioni i vezoreve mund të ndodhë vetëm ose së bashku me inflamacionin e organeve të tjera.

  • Sëmundja inflamatore e legenit (PID): proces inflamator në pjesën e sipërme të sistemit riprodhues të femrës (vezoret, tubat fallopiane, mitra dhe ligamentet).
  • Adnexitis: inflamacion i njëkohshëm i vezoreve dhe tubave fallopiane.

Në të dy raste, inflamacioni i vezoreve mund të shkaktoj probleme nga ato me më pak pasoja deri tek ato më të mëdha siç është fertiliteti.

Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme që një grua të konsultohet me një mjek që në shfaqjen e simptomave të para dhe të marrë terapinë e nevojshme për të evituar komplikimet e mundshme.

 

Cilat janë shkaqet e mundshme të inflamacionit të vezoreve?

Inflamacioni i vezoreve më së shpeshti shkaktohet nga infeksionet bakteriale. Megjithatë, ftohja dhe rënia e sistemit imunitar krijojnë një gjendje të favorshme në organizëm për zhvillimin e baktereve. Më shpesh, inflamacioni ndodh për shkak të pranisë së streptokokëve, stafilokokut, Escherichia coli dhe gonokokëve. Shkak i inflamacionit të vezoreve mund të jetë edhe kandida.

 

Simptomat e inflamacionit të vezoreve

Kur një grua ka inflamacion ovarian, ajo mund të ndjejë dhimbje me intensitet më të madh ose më të vogël, në varësi të rastit. Megjithëse simptomat mund të ndryshojnë nga gruaja në grua, ka një sërë simptomash që zakonisht shoqërojnë inflamacionin e vezoreve:

  • Dhimbje në pjesën e poshtme të barkut, legenit ose shpinës
  • Menstruacione të rënda dhe të dhimbshme
  • Gjakderdhje midis cikleve ose pas marrëdhënieve seksuale
  • Rritja e sekrecioneve vaginale
  • Ndjenja ose dhimbje të pakëndshme gjatë marrëdhënies seksuale
  • Djegie ose dhimbje gjatë urinimit.

Diagnoza e inflamacionit të vezoreve bazohet në një histori të detajuar mjekësore, ekzaminim gjinekologjik dhe ultratinguj, analiza laboratorike të gjakut si dhe strisho cervikale dhe vaginale.

Mjeku juaj do të përshkruajë një terapi adekuate, dhe zakonisht kombinohen antibiotikët, supozitorët vaginalë dhe ilaçet anti-inflamatore. Kur ndjeni simptomat e inflamacionit të vezoreve, është e rëndësishme të mos mjekoheni vetë, sepse është e rrezikshme për shëndetin tuaj, por sigurohuni që të konsultoheni me një mjek.

 

Si të parandaloni inflamacionin e vezoreve?

Rritja e rrezikut të infeksionit, madje edhe vetë inflamacioni i vezoreve, shkaktohet nga marrëdhëniet seksuale të pambrojtura dhe ndrimi i shpeshtë i partnerëve, dobësimi i sistemit imunitar, veshja e rrobave të ngushta, larja në ujë të ndotur, infeksionet e shpeshta të fshikëzës etj.

 

Për të reduktuar rrezikun e inflamacionit të vezoreve, është e rëndësishme përdorimi i prezervativëve gjatë marrëdhënieve seksuale, ruajtja e higjienës dhe kujdesi për të mos dëmtuar florën vaginale, forcimi i imunitetit, si dhe përdorimi i të brendshmeve prej pambuku. /natalmedia.com/

 

 *Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi pa miratimin e drejtuesve të “natalmedia”

SHPËRNDAJE:

Related posts