Kam djalin 2 vjeç e 5 muaj më shqetëson fakti që kafshon fëmijët në shtëpi, çfarë të bëj?

Pyetje:

Përshëndetje! Kam djalin 2 vjeç e 5 muaj më shqetëson fakti që kafshon fëmijët në shtëpi, por edhe mësuesja e kopshtit ankohet se po kafshon fëmijët e tjerë. Më trego çfarë të bëj.Kjo sjellje ka filluar qe dy javë

 

Përgjigje:

Përshëndetje!

Kafshimi te fëmijët vërtet paraqet sjellje që brengos. Ai e frikëson fëmijën që është viktime dhe i shqetëson prindërit e tij. Kur paraqitet një tip i tillë i sjelljes te fëmijët e vegjël, ajo nuk duhet të injorohet. Është e nevojshme të vlerësohen saktë rrethanat, të kuptohet kur filloi. Fëmijët kafshojnë për arsye të ndryshme. Ndonjëherë ndjehen të frustuar ose të rrezikuar nga ndonjë gjë. Në raste të tjera ata në atë mënyrë e shfaqin fuqinë e tyre ndaj të tjerëve. Në raste të tilla është mirë që fëmijëve t’u ndihmohet t’i njohin ndjenjat e tyre dhe t’i mësojmë t’i shprehin ato. Prandaj fëmijëve qartazi duhet të thuhet se kafshimi është sjellje e papranueshme dhe njëherazi t’u shpjegohet me fjalë që janë të kuptueshme për ta. Pas qetësimit të parë të fëmijës është mirë të thuhet diçka si: “Kafshimi vërtet i lëndon fëmijët e tjerë. Unë nuk do të lejoj të të lëndojnë të tjerët, por po ashtu nuk do të lejoj që as ti t’i lëndosh fëmijët e tjerë. Ti nuk guxon ta kafshosh askënd.” Nëse kafshimi përsëritet, ne mund ta ndajmë fëmijën nga fëmijët e tjerë. Fëmijës duhet t’i shpjegojmë se ai do të kthehet të luajë me fëmijët e tjerë vetëm nëse e ndalë kafshimin. Kështu duhet të bëhen përpjekje që më tej ta pengoni sjelljen e këtillë. Me këtë i parandaloni lëndimet e fëmijëve të tjerë, por edhe i dekurajoni fëmijët që ta praktikojnë atë.

Shëndet për ju dhe fëmijët!

Pukjana Geci: Psikologe dhe terapiste /natalmedia.com/

 

*Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi pa miratimin e drejtuesve të “natalmedia”

SHPËRNDAJE:

Related posts