GRUAJA…

Shkruan: Dr. Ismail Lutolli
Specialist Pediater
Subspecialist Dijetelog -Nutricionis

 

Lindë si fëmijë i “dorës së dytë” dhe për të thuhet: me rëndësi që është e shëndoshë, edhe pse vajzë s’kemi çka bëjmë!

Si fëmijë dhe e rritur është ajo që duhet të kujdeset për moralin e saj dhe po gaboi faji është vetëm te ajo, por kurrë te burri…

Ndahet pasuria e babait por vajza nuk merr pjesë. Ajo nuk ka të drejtë në trashëgimi.

Ndërron mbiemrin e saj posa të martohet.

Ndërron shtëpinë e saj, largohet nga ku lindi dhe u rrit.

E lë familjen e saj, shpeshherë edhe e ka të caktuar kur mund t’i vizitoj ata.

Vjen të jetojë me ty përgjithmonë duke të besuar plotësisht.

Ndërton shtëpinë me ty duke punuar ditë dhe natë.

Mbetet shtatzënë dhe rritë në barkun e saj fëmijët tuaj.

Shtatzënia i ndryshon trupin por ajo ngelet gruaja e shtëpisë me të gjitha obligimet.

Vjen duke u rënduar nga pesha por ajo vazhdon dhe kryen tërë punët në shtëpi. Nuk e pyet njeri a mundet?!!!

Përjeton dhimbjet e lindjes e shpeshherë lind me operim dhe duhen muaj për të rimarrë vetveten.

Fëmija që e solli në jetë prap merr mbiemrin tuaj.

Zgjohet me dhjetëra herë gjatë natës për të ushqyer me gji fëminë tuaj derisa ju fleni qetë.

Në çdo shqetësim të fëmijës tuaj ështq gruaja ajo që merret me të.

Deri në ditën që ajo vdes është në gjendje të bëjë gjithçka për familjen, për ty si burrë.

Tërë jeten si grua ajo vazhdon të përgatisë ushqimin, të pastrojë shtëpinë, të kujdeset për fëmijët e prindërit e tu, të rrisë fëmijët, të fitojë, të këshillojë, kujdeset të jetë prehje për ty, të mbajë lidhjet familjare, të bëjë gjithçka që të bën dobi ty dhe familjes tënde. Nganjëherë sakrifica e gruas eshte aq e madhe sa i kushton me shëndetin e saj.

Me të drejtë lind pyetja: kush në të vërtetë është i favorizuar këtu, gruaja apo ti si burrë?!

Mos harroni asnjëherë! Nuk është e lehtë të jesh grua në mentalitetin tonë. Madje është sakrificë e madhe.

Të qenurit grua nuk ka çmim!/natalmedia.com/

SHPËRNDAJE:

Related posts