Fëmija refuzon të hajë ushqim?

Pyetje:

Përshëndetje!

Jam nënë e një vajze 6-vjeçare, e cila han vetëm disa ushqime. Tjerat nuk mund ta bind ti provojë. Si bebe, ajo i ka hanger të gjitha, por rreth moshës 2.5, nuk di çfarë ndodhi që ndryshoi dhe tani han vetëm disa ushqime. Si mund ta bind që të konsumojë edhe ushqime të tjera, apo ka nevojë për vizita tek ju? Ju faleminderit!

 Përgjigje:

 Përshëndetje, E kuptueshme, refuzimi i ushqimit nga fëmijët është një ndër shqetësimet më të mëdha të shumë prindërve. Takoj shpesh prindër të acaruar, të cilët janë të bindur se kanë provuar gjithçka dhe kanë arritur në përfundimin se fëmija i tyre është “zgjedhës i ushqimeve” dhe nuk është në gjendje të zgjerojë shijen e tij. Fillimisht, nëse një fëmijë refuzon një ushqim, tendenca jonë si të rritur është të detyrojmë duke e futur me zor ushqimin në gojë, ta kushtezojmë, apo edhe të ndëshkojmë fëmijën përse nuk po bindet në atë çfarë ne po i themi.

Kjo gjë e minon më shumë situatën dhe shkakton ankth te fëmija. Si të rritur, është mirë të kuptojmë gjendjen e fëmijës dhe mos të bëjmë presion. A do pranonit ju të hani dicka nëse nuk ju pelqen? Fëmija ndoshta edhe do pranojë të shijojë, por përgjigja e tij do të jetë JO, nuk më pelqen, edhe pasi ta keni bindur ta provojë. Çështja është më e thellë dhe duhet të punohet në planin afatgjatë, por asnjëherë të mos shohim presionin dhe detyrimin si alternativë. Hapi i parë është të kuptoni pse fëmija juaj po shmang disa ushqime. Eliminoni faktorët shëndetësorë (intolerancën, alergjitë, infeksionet, etj.)

Suksesi më i madh i shumë terapistëve që punojnë me fëmijë që kanë vështirësi në ngrenie është duke krijuar strategji të prezantimit të ushqimit në formë të lojës, të cilat i lejojnë fëmijët të ndihen rehat me pamjen, aromën, teksturat dhe në fund edhe me shijet e një ushqimi të panjohur në një mjedis argëtues dhe pa presion.

Asnjëherë mos i mashtroni fëmijët që të hanë diçka. Besimi është baza e një marrëdhënieje të ushqyerit – si me çdo marrëdhënie – dhe ju mos e shkelni atë besim. Inkurajoni një atmosferë pozitive rreth tryezës së ushqimit. Përpiquni të keni biseda të këndshme gjatë kohës së ngrënies. Përdorni fantazinë dhe kreativitetin për të krijuar ushqime tërheqëse dhe të shijshme. Mund të përdorni forma të ndryshme, ngjyra të ndryshme dhe të krijuar ushqime të bukura për sytë që mund të inkurajojnë fëmijën të hajë.

Mundohuni përgatitni bashkë me fëmijën. Është e rëndësishme të mbani në mendje se kjo është një proces gradual dhe mund të kërkojë kohë dhe durim për të arritur rezultate pozitive. Nëse, pas ndjekjes së këtyre këshillave nuk vëreni ndonjë përmirësim, mund të jetë e dobishme të organizojmë një takim nga afër. Pukjana Geci Psikologe dhe terapiste

./natalmedia.com/

 

*Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi pa miratimin e drejtuesve të “natalmedia”

SHPËRNDAJE:

Related posts