Cilat janë shenjat e hershme të belbëzimit?

Shkruan: Egzona Maloku – Logopede

Shenjat e para të belbëzimit mund shfaqen kur fëmija është rreth 18-24 muajsh pasi në këtë moshë shpërthen fjalori i fëmijës dhe fëmija është gati të bashkojë disa fjalë për të formuar fjali.
Për ju fakti që fëmija belbëzon mund të jetë tronditës dhe zhgënjyes, por mos harroni se është normale që ndonjëherë fëmija në këtë moshë të belbëzojë. Është e rëndësishme që të jeni të duruar sa më shumë të mundeni me fëmijët në këto momente. Edhe pse një fëmije mund t’i mbahet goja për disa javë apo për disa muaj, belbëzimi i tij mund të jetë sporadik dhe jo i përhershëm. Shumica e fëmijëve që fillojnë të belbëzojnë para moshës 5-vjeçare arrijnë ta ndërpresin atë pa pasur nevojë për ndërhyrje të specializuara siç mund të jenë terapitë logopedike, etj.
Nëse belbëzimi i fëmijës bëhet një fenomen i përsëritur dhe i shpeshtë dhe situata shkon duke u përkeqësuar e shoqërohet me lëvizje të trupit dhe të fytyrës është i nevojshëm realizimi i një konsulte me specialistët e gjuhës dhe të folurit, pse jo, qysh në moshë të hershme, kur ai fillon të shfaqet (p.sh. 3 vjeç).
Kur fëmija është duke folur, tregojini se jeni duke e dëgjuar dhe bëjeni këtë menjëherë. Mos komentoni rreth belbëzimit të fëmijës.

Ju mund t’i drejtoheni një logopedi nëse vëreni që:

• Ndërkohë që fëmijës i mbahet goja ai shfaq edhe shenja të tjera, p.sh. bën
tike/lëvizje të pakontrolluara të syrit, të buzës, të qafës etj. ngërdheshet,është shumë i tensionuar ndërsa flet dhe i mbahet goja.

• Nëse fëmijës vazhdon t’i mbahet goja për një periudhë që shkon më shumë
se gjashtë muaj, nëse pengohet/bllokohet për disa sekonda, nëse fëmija e tregon qartë tensionin që ka përmes shprehjeve të tij të fytyrës.

• Në këto raste kërkoni menjëherë ndihmë tek profesionistët.
Belbëzimi zakonisht nuk përbën shqetësim, për aq kohë sa ai nuk vazhdon për më shumë se pesë apo gjashtë muaj, ose të paktën kur gjatë kësaj kohe vërehen përmirësime në të folurën e fëmijës./natalmedia.com/

 

 

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi pa miratimin e drejtuesve të “natalmedia”

SHPËRNDAJE:

Related posts