A jeni prind që poston foto të fëmijës në internet? A i dini disa gjëra para se t’i postoni? Ja pse duhet të mendoheni para se t’i bëni “share”!

Samire Ademi Lutolli

Spec. Gjinekologe obstetre

 

 

Kohët e fundit, termi SHARENTING është i njohur dhe i referohet prindërimit në internet, i cili ka të bëjë me postimin e vazhdueshëm nga ana e prindërve të përmbajtjes së fëmijëve të tyre në rrjetet sociale.

 

Top modelja dhe manekenja e njohur britanike Naomi Campbell njoftoi në profilin e saj në Instagram dhe Facebook se lindi një vajzë. Kështu ajo u bë nënë për herë të parë në moshën 50 vjeçare.

Modelja e famshme nuk ka deklaruar emrin, datën ose vendin e lindjes së foshnjës madje as foton e fytyrës së saj.

 

“ Një bekim i bukur i vogël më zgjodhi mua të jem nëna e saj. Jam e nderuar që kam një shpirt kaq të ëmbël në jetën time” – shkroi Naomi në foto.

 

Të kujtojmë, Naomi fitoi famë botërore në fillim të viteve ’90. Ajo ishte ndër modelet dhe manekenet e para me ngjyrë që fitoi popullaritet planetar. Ajo ishte dhe është ende fytyra e shumë markave të modës dhe kozmetikës, dhe gjithashtu është shfaqur në shumë videoklipe.

 

Megjithë këtë famë, dhe duke qenë se një jetë të tërë e ka kaluar para syrit të aparatëve fotografik dhe duke qenë person kaq publik ajo shpërndau për publikun vetëm lajmin dhe një fotografi shumë të veçantë pa e ekpozuar fytyrën e foshnjes.

 

Sipas të dhënave botërore dhe evropiane, 34 përqind e prindërve publikojnë imazhe të bebeve të tyre të marra me ultratinguj dhe 48 përqind shpërndajnë fotot e fëmijëve të shkrepura në spitalin e lindjes, 77 përqind e prindërve publikojnë fotografi të fëmijëve të zhveshur ose gjysmë të zhveshur, 50 përqind ndajnë imazhe qesharake ose zbavitëse (duke qarë, duke fjetur, pozita të çuditshme). Në nivel vjetor, prindërit postojnë mesatarisht 195 fotografi të fëmijëve të tyre.

 

Një mike dhe kolege e imja (joshqiptare), para 10 vitesh kishte postuar ne Youtube fëmijën e saj 1 vjeçar me titullin “ Bebeja pi kafe”. Isha në fillim të përvojës së mëmësisë por edhe të rrjeteve sociale për të cilat m’u desh kohë të kap dhe praktikoj pjesën e dobishme të tyre, u irritova aq shumë sa thashë: E çfarë ka interesant këtu, lëre që nuk është edukative por nuk është as zbavitëse dhe simpatike një bebe e tëra e përlyer me llumin e kafesë në përpjekje për të pirë pije ekskluzivisht për të rritur.

 

Çfarë paska për të treguar? Është njësoj sikur të shihnim një reklamë në TV të një fëmije duke pirë Red Bull. Apo, a keni parë ndonjëherë reklamë të bebeve duke pirë Coca Cola? Këtë nuk e bëjnë as këto kompani të mëdha me fitime milionëshe.

 

Mëkat, se sa me shije e pinte ajo bebe kafenë dhe llumin e asaj. Pyes veten si do ta ketë mëlçine bebeja kur të jetë 25, 30 apo 40 vjeç meqë ishte aq “e trajnuar”në pirjen e kafesë!? Atëherë më ka shtyer ta mendoj të shkruaj por tani postimet me fëmijë kanë filluar të bëhen të shpeshta, sa po më zënë murin e profilit sapo ta hap telefonin dhe meqë më merr kohë për të bërë listimin e publikimeve nuk e bëj më fare dhe më ka humbur qëllimi i përdorimit të rrjeteve sociale për qëllime informative dhe edukative e pse jo dhe zbavitëse.

 

Por, të më duhet të mendohem nëse nuk iu bëj “Like| ka filluar të më duket si ngarkesë dhe të më pengojë. Se për komente replikash nuk jam. Andaj po e përmbledh këtu. Do të mbani inat përse ua them troç dhe përse jam kaq direkte por po ua them se unë po marr guximin të shkruaj, e jo si ata që prapa telefonave tuaj flasin por nuk ua thonë. Dhe e bëj për fëmijët tuaj. Do të më kujtoni.

 

Të jemi të qartë që në fillim, nuk jam kundër fotove, nuk jam kundër postimeve me foto fëmijësh përveç atyre me efekt të dëmshëm për fëmijët ose fare të padobishëm për të tjerët. Dhe ç’është më e rëndësishmja i dua fëmijët shumë dhe për mua të gjithë janë të bukur, të mrekullueshëm, të çiltër e të pafajshëm për t’u bërë objekt i ndonjë teme shqetësuese.

 

Edhe pse kam provuar që në mënyrë shumë “fine” të përcjell mesazh për hir të atyre fëmijëve disa nga miqve të mi të etniciteteve të ndryshme, meqë kam jetuar jashtë (që nuk janë shumë që postojnë foto të fëmijëve, dhe ata që janë, për inat timin pothuajse asnjë nga ata të huaj, por ose janë shqiptarë të afërm që s’mund t’u bëj “block”, ose miq që kanë shumë vlera tjera të larta) por për këtë çështje madje as si intelektualë që i njoh as nuk ma varin veshin dhe duket sikur nuk më kuptojnë si mike, duke dashur t’j’u them që t’i ruajnë dhe rrisin fëmijët e tyre në përputhje me urdhërat dhe rekomandimet e të gjitha konventave dhe organizatave ndërkombëtare për të drejtat dhe edukimin e rritjen e fëmijëve.

 

Nuk më habit dhe ia pranoj natyrshëm çdokujt që arritjen më të madhe në jetë dhe gëzimin më të madh e ka të paturit e fëmijës dhe me këtë mbahet lumturia e tij, ashtu siç e ndjej dhe vetë, sa më habisin ata prindër që i njoh si intelektualë dhe mbajnë e propagandojnë botëkuptime të trendit social civilizues mbi ruajtjen e privatësisë dhe ndërkohë bëjnë të kundërtën duke ndarë privatësinë në publik.

 

Sigurisht e dini, prindërit vetë janë shumë të kujdesshëm se cilën fotografi do ta postonin në Facebook, Instagram, Youtube e gjetkë por, kur bëhet fjalë për fëmijët e tyre, gishtat fluturojnë shumë shpejt te postimi dhe me ndonjë “sticker” zbukurues i bëjnë ”share” .

 

Kur shikojmë veten në foton që mendohemi a ta publikojmë pyesim veten: “A dukem e shëndoshë në këtë fotografi?”, “Çfarë do të thonë “friends”-at kur do të më shohin me këtë veshje?”, “A dëshiroj vërtetë që ajo xhelozja ta shohë këtë fotografi?”, “Si më ka dalur barku këtu , nuk ka shanse që ta publikoj! ”. Madje edhe filterat dhe retushimet na shkon mendja t’i fusim për t’u dukur më bukur.

Mos të harrojmë fotografitë tona të fëmijërisë! A do të ndiheshit rehat nëse të gjithë miqtë tuaj sot do të kishin çasje në ato fotografi kur të duan?

 

E kur bëhet fjalë për fëmijët tanë nuk mendojmë aq shumë. Megjithëse ata gjithmonë na duken bukur dhe në të vërtetë të gjithë janë simpatikë, ngaqë janë fëmijë, a e keni pyetur veten si do të ndiheshin ata nëse shpërndajmë imazhin e tyre? A do të jenë të lumtur pas 15 vitesh kur të shohin atë fotografi të tyre dhe kur ta dinë që të gjithë miqtë e tyre e kanë parë?

 

Duke u larë në vaskë pa veshje, pa një dhëmb sepse i ka rënë dhëmbi i qumshtit, një foto e shkrepur duke bërë një lojë qesharake, duke u shkarravitur dhe kërcyer në lodra si çamarrok, një veshje që na bën për të qeshur sa simpatike duket te një fëmijë, por, edhe një fëmijë që mamaja ose babai pret ose i thotë të “ngrihet” në vend e të marrë qëndrim, t’i kërkojë të ndalojë e të buzëqeshë me zor madje ndonjëherë edhe të mbajë qëndrim flirtues para telefonit derisa ta kapë një foto “të duhur”, duke mos qenë as pjesë e lojës e as pjesë që fëmija mund ta kuptojë e përpunojë këtë “zbavitje”, më duket e sikletshme për ata fëmijë që janë të detyruar.

 

Fëmija nuk mund ta kuptojë se çfarë shërben kjo rutinë dhe çfarë është ajo gjë aq e rëndësishme që i ndërpret lojën dhe vëmendjen. Apo ç’është më e dhimbshme, që një fëmijë të marrë pozita pa shije fëmijërore që të ngjan me photoshooting për konkurse bukurie e videoklipe këngëtaresh që ta shpif se sa e padrejtë dhe mëkatare duket ndaj një krijese të papjekur, të çiltër.

 

Pak para se të mbaronte viti shkollor një mik kishte shkruar: “ kur do t’j’a nisin t’i nxjerrin librezat në fcb?”. Ishte e pritshme të shihnim çerdhet, shkollat, dëftesat dhe librezat e arritjes. Edhe pse kënaqesha me sukseset e tyre, më dukej sikur ishte Viti i Ri me fëmijët si bredh të zbukuruar me ato letra e libreza të varura (që nuk janë gjithmonë garancion për tu bërë të suksesshëm në jetë).

 

Duke u përpjekur t’ua tregojmë të tjerëve suksesin “tonë”, e para i mbjellim fëmijës shprehinë që suksesi i tij bëhet madhështor vetëm nëse ndahet me të tjerët, që të ndjehet më i pranuar, që për sukses të arritur duhet mburrje dhe krenim, a e mendojmë se jeta mund ta sfidojë dhe si do t’i përballojë humbjet apo dështimet e mundshme kur të jetë më i rritur?

 

Do t’i përjetojë si turp dhe do të krijojë komplekse të dëmshme për shëndetin mendor sepse do ta mundojë mendimi i të tjerëve. E dyta, me gjasë duket sikur prindi me këtë shëron komplekset e tij të parealizuara kur ishte vetë në moshë të fëmijës së tij, kam lexuar të ketë thënë një psikologe amerikane.

 

Pyes, vërtetë çfarë duan të përçojnë me “story-et” që më dalin për ditë me fëmijë të bukur dhe të pafajshëm të fjetur me sy të mbyllur e të hapur, të ngrirë duke shikuar në atë dreq aparati përballë, që në shikim të parë më lëviz zemrën nga vendi duke menduar një nga titujt e zinj të lajmeve në krye nga zonat e luftës apo se kërkohet ndihmë financiare për këtë fëmijë të bukur sepse është i sëmurë. Thonë: “Të shkon mendja nga nuk e mendon”. Më nuk i përballoj dot ato lajme dhe foto dhe derisa ta lexoj e kuptoj se kush e ka postuar dhe a është foto qejfi apo lufte apo sëmundjeje më ngrin gjaku dhe më ik dhe qejfi I asaj bukurie të patundshme fëmijërore. Me bebet dhe fëmijët nuk jam friends, pastaj dhe nuk I njoh e parambaj mend sepse fëmijët rriten dhe vazhdimisht ndryshojnë.

 

Por, këtu ka një dallim, një fëmijë në postim për ”qejf apo inat” e sakrifikon dhe ekspozon vetë prindi me vetëdije të plotë e nuk është lajm mediatik I luftës dhe dhunës e sëmundjes së pamëshirshme ku vërtetë edhe zemra më e dobët ndjen empati dhe sensibilizim.

 

Këtë që do ta them edhe mund të ju duket shumë vulgare por, a e dini që në shumë raste shumë nga miqtë tuaj e sidomos ata që kanë fëmijë nuk do t’u bëjë përshtypje fotoja e fëmijës tuaj të bukur. Ata kanë fëmijët e tyre dhe janë më se të ngopur nga ajo “ëmbëlsia” e tyre, pastaj, mos harroni, kemi shije të ndryshme , fëmija juaj më i bukur në botë mund të mos u duket miqve tuaj I tillë.

 

Përkundrazi, fotoja e fëmijës mund t’i irritojë të flasin dhe mund të jeni bërë objekt i thashethemeve e komenteve të pashkruara, një gjë plotësisht e panevojshme dhe e shmangshme po të mendoheshit para se ta postonit.

 

Madje disa nëna në profilin e tyre postojnë vazhdimisht dhe vetëm foto të fëmijëve të tyre sikur udhëheqin kopsht fëmijësh dhe profili i saj është komercial për qëllime reklamuese kopshti.

Po a e dini edhe një gjë mjaft interesante? Diku për një foto të bukur fëmije prindërit paguhen nga kompani të mëdha reklamuese me pranim me shkrim, dhe ato foto ekspozohen para publikut që duhet të joshet për të blerë produktet e tyre.

 

Kurse ju e bëni pa pagesë dhe që ato foto janë diku në profilin dixhital që nuk fshihet kurrë. Ku e dini që ato foto nuk mund t’i marrë dhe përdorë dikush për reklamim diku në një vend larg jush në botë në tabloidët e rrugës?

 

Po të ju them që pedofilët do të shfrytëzojnë fotot e fëmijëve tuaj të bukur do ta nenvlerësoni dhe nuk do të besoni. Por po të ju them se fotoja e fëmijës tuaj diku do të përdoret për të shitur një produkt do të reagonit menjëherë, do ta besoni me lehtësi dhe do të ndiqnit rrugët ligjore.

 

Apo më shkon në mendje një gjë që më vjen zor ta them por më duhet meqë po e përmbledh këtë temë. Postoni foto dhe video të fëmijës tuaj për tu treguar me mburrje të dukeni si prind i arritur dhe i suksesshëm para atyre që ëndërrojnë ta kenë të paktën një fëmijë, e që në anën tjetër të telefonit me postme të tilla dikujt ua bëni dhimbjen më të thellë dhe vuajtjen më të madhe.

 

Kështu mund edhe të nxisni zili, sepse një çift që lufton me vite për një fëmijë nuk e kapërdin dot faktin që prindër mund të bëhen edhe njerëz që nuk janë meritorë dhe që ata vetë duhet të jenë meritorë por ende nuk ka shkrepur fjala e thënë nga Ai I Larti “Bëhu” çfarë është krejt e natyrshme njerëzore dhe e kuptueshme.

 

E dini çfarë? Nëse arrijmë diçka në jetë, më e pakta që arrijmë me meritën tonë është fëmija. Është dhunti për të cilën nuk jemi lodhur, shpenzuar e investuar për të. Është produkt I një akti seksual (mos harro, jo gjithmonë nga dashuria), një instinkti të çdo gjallese madje edhe atyre më të vogla e më të shpifura dhe kjo na bëka të guximshëm dhe të fuqishëm të tregohemi se jemi të zotë, të plotësuar e superior duke u përpjekur të bëhet bindëse duke e postuar me foto dhe duke ua treguar të tjerëve.

 

Epo shumë qyqare kjo. Edhe nëse dikush ka lindur, kjo nuk do të thotë që e bën prind ideal dhe edukatorin më të mirë. Prandaj ka aq shumë krime dhe shkelje nga bijtë dhe bijat e nënave dhe baballarëve që s’kanë bërë më shumë se që I kanë lindur dhe ju kanë dhënë për të ngrënë në rritjen dhe edukimin e tyre.

 

E nëse një moment të bukur për të shijuar me bebushin tonë e humbasim për ta kapur me telefon në dorë atëherë nuk kemi humbur vetëm ne por kanë humbur edhe ato krijesa të pafajshme. Një përkëdhelje, një përqafim, një puthje, një urim apo këndim para tyre. Ata ndjejnë dhe është investim më I mirë.

 

Ka edhe diçka. Shpesh në fotot që shoh, fëmijët janë në plan të parë dhe njëri nga partnerët gjithmonë mungon madje edhe vetë prindi “fotograf” kursen veten duke qëndruar prapa telefonit u tregoka sa I plotësuar ndjehet?! Ai partner që mungon ose nuk ia var për rrjete sociale e për foto ose nga angazhimet në punë e prioritetet e tjera të jetës ose nuk është aty me dashurinë e jetës me të cilin ka bërë këta fëmijë.

 

Pastaj, një prind i uron bebushit 1 mujorin, 6 mujorin, 1 vjeçarin e lindjes e madje edhe 5 vjeçarin e 10 vjeçarin me urimet më të përzemërta sikur ai në të vërtetë di të lexojë dhe ka profilin e tij personal ndërkohë që mund ta shohin të gjithë përpos atij fëmije që i është përkushtuar urimi.

 

Nëse e bëni këtë, bëjeni në adresën e tij që keni hapur kur të ketë lindur, dërgojini përmbajtjet me video, foto e urime e kujtime në atë adresë dhe dorëzojani fjalëkalimin kur të ketë mbushur 18 vjeç për ti parë kujtimet dhe momentet e bukura që prindërit e tij i kanë kapur dhe i kanë përjetuar bashkë ashtu sikur albumet e fotove që ruajnë prindërit tanë në kuti. Por asnjëherë mos i dërgoni foto ku do ta bëjë t’i vijë siklet kur t’i shohë si i rritur.

 

Shumë kohë para se një fëmijë të hapë profilin e tij në një nga rrjetet sociale, dhe në shumë raste edhe para se fëmija të lindë, prindërit, duke postuar përmbajtje në profilin e tyre, krijojnë një identitet dixhital të fëmijës të disponueshëm në internet. E mos harroni se cili është kushti për hapjen e një profili ne Facebook, mosha mbi 18 vjeç.

 

Sa i mirë është dhe çfarë ndikimi mund të ketë në jetën e fëmijës tuaj në të ardhmen dhe sa i sigurtë është për fëmijën tuaj?

Pse duhet të jemi shumë të kujdesshëm në lidhje me atë që ndajmë në internet dhe si të ndajmë në mënyrë të sigurtë fotografi me të dashurit tanë?

 

Fëmijët më të vegjël nuk janë të pjekur për të dhënë pëlqimin për të publikuar foton e tyre në publik, dhe nuk është e pazakontë për fëmijët më të rritur që të mos dinë se çfarë postojnë prindërit e tyre. Ndoshta imazhi i një fëmije që pengohet, bie dhe qan mund të jetë qesharak ose simpatik për shkak të rrethanave të caktuara, por në të njëjtën kohë mund të jetë një arsye për tallje në shkollë, në shoqërinë e bashkëmoshatarëve, dhe pasojat e dhunës midis fëmijëve janë shumë e rënda dhe afatgjate.

 

Për më tepër në moshën 14 ose 15 vjeç ai mund të turpërohet nga fotografi të tilla. Vajza e një aktoreje i kishte shkruar në koment mamasë së saj: “Mami nuk më ke pyetur që ke vënë këtë foto timen”. Megjithëse ne krijojmë një lloj të caktuar të profilit dixhital për fëmijët që në moshë të hershme, në të ardhmen ata mund të mos e dëshirojnë atë lloj profili, ata madje mund të mos dëshirojnë të kenë fare një profil publik.

 

Aktivitetet banale në internet shumë lehtë mund të bëhen burim vuajtjesh jo vetëm për fëmijën por për të gjithë familjen. Prandaj, është e rëndësishme të mendoni për pasojat afatgjata, për rreziqet e mundshme.

 

Kur flasim për sigurinë, dhe duke ditur të dhënat që 5 përqind e prindërve kanë krijuar një profil për një fëmijë të porsalindur, 95 përqind publikojnë emrin e fëmijës në Facebook, 83 përqind zbulojnë datën e lindjes, 33 përqind publikojnë certifikatën e lindjes (të dhënat në emrat e prindërve, adresat …), pa menduar shumë shohim që prindërit duke mos mbrojtur privatësinë e tyre, i vënë fëmijët në rrezik të mundshëm.

 

“Ne u themi fëmijëve tanë më të rritur që të mendojnë pesë herë para se të postojnë ose ngarkojnë një foto në një nga rrjetet sociale. Unë i këshilloj prindërit të ndjekin të njëjtin parim. Është e rëndësishme të pyesni veten para se të postoni një fotografi të fëmijës tuaj: Kush mund ti shohë të gjitha fotot e fëmijëve tuaj? Nëse një foto ose e dhënë bie në duar të gabuara, cilat janë pasojat e publikimit të fotove të fëmijëve? Mendoni se si do të reagonte një fëmijë duke parë foton e tij pas disa vitesh?

 

A pajtohen fëmijët tuaj me postimin e fotove në internet?

Nëse dëshironi të ndani një foto ose kujtim – për shembull një lavdatë, një aktivitet – në një rrjet social, mbani në mend të vendosni sa më pak informacion personal dhe të mbroni privatësinë e tij dhe mirëqenien. Vlerësoni nëse është më e përshtatshme dhe më e mençur të dërgoni një foto përmes Ëhatsup, Viber ose ndonjë kanali tjetër tek një person i caktuar që duam ta shohin atë foto sesa ta postojmë para qindra apo mijëra njerëzve që na ndjekin në rrjetet sociale e që madje mund të mos I njohim fare në jetën reale.

Për më tepër, ndërsa fëmija juaj të rritet, përfshini atë në procesin e vendimmarrjes për ndarjen publike të të dhënave personale dhe fotove. Pyete nëse dëshiron të ndajë një fotografi, bisedo me të në lidhje me përfitimet e mundshme, por edhe rreziqet e aktiviteteve të tilla.

 

Mos u prirni të besoni se nuk do të më ndodhë mua dhe fëmijës tim’, duke nënvlerësuar kështu rreziqet e mundshme dhe duke mbivlerësuar sigurinë tuaj. Mos harroni se prindërit janë modelet më të mira dhe më të rëndësishme për fëmijët e tyre, tha psikologia Ana Raguzh.

Sidoqoftë, ka disa gjëra që nuk i ndajmë me njerëzit e tjerë, sepse ato janë tepër private dhe të rëndësishme për ne dhe familjen tonë, dhe ne nuk duam të përfshijmë askënd përveç një rrethi të vogël të njerëzve në të.

 

Fotografitë e fëmijëve tanë dhe nëse ato duhet të ndahen në internet janë objekt i shumë diskutimeve, hulumtimeve, madje edhe më shumë pikëpamjeve dhe mendimeve personale. Marrja e një vendimi të duhur nuk është një detyrë e lehtë, por ajo që duhet të kemi parasysh është se në këtë rast nuk po marrim një vendim për veten dhe jetën tonë, por për jetën e fëmijës sonë.

 

A e vë fëmijën tim në rrezik?

Ndërsa nuk mund të shohim një rrezik të drejtpërdrejtë për një fëmijë nga ndarja e fotove të tij në internet, nuk mund të themi se rreziqet nuk ekzistojnë. Ato mund të jenë të larmishme dhe kryesisht mund të parandalohen nëse e dini se çfarë po bëni. Privatësia dhe mbrojtja e interesave të fëmijës tuaj duhet të jenë në vend të parë dhe numri i pëlqimeve që merrni nuk është një faktor kaq i rëndësishëm në jetë.

 

Disa nga rreziqet për fëmijën tuaj mund të jenë:

-Fotografitë mund të zbulojnë se ku lëvizin fëmijët tuaj, aktivitetet e tyre dhe zakonet që ju mund të dëshironi t’i mbani për veten tuaj.

-Disa fotografi mund të jenë të sikletshme për fëmijën tuaj në të ardhmen.

-Ndonjëherë fotot mund ta vendosin fëmijën tuaj në rrezik nga të huajt me qëllime të këqija, ose dhunën / përqeshjen nga bashkëmoshatarët në shkollë.

-Fëmija juaj nuk ka zgjidhje tjetër përveçse fotografia e tij të shikohet nga njerëzit e tjerë.

-Algoritmet e përdorura nga rrjetet sociale duke përfshirë sistemin e njohjes së fytyrës po bëhen më të përparuara. Çdo foto e publikuar bëhet pjesë e një sistemi për të cilin nuk dini asgjë dhe mund të përdoret në një mënyrë që nuk mund të ndikoni, as tani dhe as në të ardhmen.

Andaj, shijoni dhe kapni momentet e prindërimit! Asgjë nuk mund të përsëritet më. Fotot le të jenë dëshmi për fëmijën tuaj dhe për ju kur ata të fluturojnë në rugën e të rriturve!/natalmedia.com/

 

 

 

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi pa miratimin e drejtuesve të “natalmedia”

SHPËRNDAJE:

Related posts