Problemet e gjëndrës tiroide mund të shkaktojnë probleme serioze gjatë shtatzanisë!

Pse është e rëndësishme të kontrolloni hormonet tuaja?

Një organ i vogël që prodhon hormone të rëndësishme për metabolizmin e njeriut, gjëndra tiroide, ndikon fuqishëm si në fertilitetin e femrës, ashtu edhe në zhvillimin e shtatzënisë. Megjithatë, nënat shpesh nuk janë të vetëdijshme për pasojat e shumta negative të funksionit jo të duhur të gjëndrës tiroide. Pikërisht për këtë duhet të edukohen dhe të informohen për të mbrojtur shëndetin e tyre, si dhe zhvillimin e duhur të fetusit gjatë shtatzënisë.

Gratë shtatzëna dhe çiftet me probleme të fertilitetit duhet të flasin me një mjek dhe të bëjnë një test të thjeshtë gjaku të hormoneve tiroide. Edhe mosfunksionimi më i vogël duhet të trajtohet me terapi adekuate, sepse gjëndra tiroide luan një rol të madh në riprodhimin dhe fertilitetin femëror.

Edhe pse janë ndër më të zakonshmet në botë, sëmundjet e gjëndrës tiroide janë gjithashtu ndër sëmundjet më pak të njohura. Vlerësohet se më shumë se 300 milionë njerëz në botë vuajnë nga reduktimi i aktivitetit të gjëndrës tiroide, por vetëm 20 për qind e tyre trajtohen.

Shumë gra nuk janë të vetëdijshme se problemet me gjëndrën tiroide mund të ndikojnë negativisht në shtatzëninë e tyre dhe fetusin. Është shumë e rëndësishme që nënat e ardhshme të kontrollojnë gjëndrën tiroide në fazat e hershme të shtatzënisë, sepse sëmundja e patrajtuar rrit rrezikun e vonesës në zhvillimin e fetusit, si dhe rrezikun e lindjes së parakohshme.

Kontrolli i gjëndrës tiroide është veçanërisht i rëndësishëm në periudhën e vitit të parë pas lindjes, duke pasur parasysh se disa gra zhvillojnë të ashtuquajturin hipotiroidizëm pas lindjes (PPT) simptomat e të cilit janë të ngjashme me ato të depresionit pas lindjes, si lodhja, ankthi dhe vështirësia për të humbur peshë. Këto simptoma janë zakonisht kalimtare dhe jo shqetësuese, por rekomandohet që të testohen hormonet përpara se të merrni ilaqet kundër depresionit. Nëse ky çrregullim vazhdon deri në muajt e fundit para lindjes, rekomandohet marrja e terapisë hormonale për trajtimin e hipotiroidizmit.

Simptomat më të rëndësishme të hipotiroidizmit (aktiviteti i reduktuar i gjëndrës tiroide) gjatë shtatzënisë janë lodhja, depresioni, dhimbjet e muskujve, harresa, intoleranca ndaj të ftohtit dhe simptomat më të rëndësishme të hipertiroidizmit (rritje e aktivitetit të gjëndrës tiroide) janë humbja e peshës, ankthi, rrahjet e shpejta të zemrës dhe palpitacione, dridhje duarsh.

Në rast të shfaqjes së simptomave të mësipërme, duhet të vizitoni një mjek sa më shpejt të jetë e mundur për përpunim të mëtejshëm dhe vendosjen e një diagnoze të saktë. Kur bëhet fjalë për hipotiroidizmin, trajtimi kryhet me terapi zëvendësuese të hormoneve tiroide. Gratë shtatzëna me hipotiroidizëm të njohur duhet të bëjnë kontrolle të shpeshta gjatë shtatzënisë për të përcaktuar dozën e duhur të barit.

Në rastin e një forme më të lehtë të hipertiroidizmit, gratë shtatzëna zakonisht monitorohen më shpesh, dhe trajtimi në një formë më të rëndë kryhet me ilaçe antitiroide ose heqje kirurgjikale të një pjese të gjëndrës tiroide (pa përdorimin e jodit radioaktiv).

Gjëndra tiroide luan një rol shumë të rëndësishëm në rritjen e fëmijës dhe në zhvillimin e veçorive të tij neuropsikologjike.

Pikërisht për këtë, në rast mungese apo trajtimi të papërshtatshëm, mosfunksionimi i tiroides mund të ketë pasoja të rënda në zhvillimin fizik dhe psikologjik të fëmijës.

Fëmijët mund të lindin me një gjëndër tiroide më pak funksionale, ose mosfunksionimi mund të zhvillohet për shkak të marrjes shumë të vogël të jodit në trup, për shkak të një sëmundjeje autoimune (për shembull, tiroiditi i Hashimotos ose sëmundja e Graves) ose një dëmtimi i gjëndrës tiroide. Problemet shpeshherë janë të trashëguara, ndaj duhet t’i kushtohet vëmendje zhvillimit të fëmijës dhe në rast të përkeqësimit terapia duhet marrë sa më shpejt.

Simptomat më të zakonshme të hipotiroidizmit tek fëmijët janë verdhëza e zgjatur tek të sapolindurit, rritja e ngadaltë e kockave dhe dhëmbëve, problemet e të mësuarit, puberteti i vonuar dhe simptomat më të zakonshme të hipertiroidizmit janë ndryshimet në sjellje dhe suksesi në shkollë, pagjumësia, shqetësimi dhe nervozizmi. Nëse fëmija është diagnostikuar me çrregullime të tiroides, duhet bërë një analizë e thjeshtë, në vazhdimësi, çdo tre deri në gjashtë muaj, të kontrollohet niveli i hormoneve të tiroides dhe TSH në gjak. /natalmedia.com/

 

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi pa miratimin e drejtuesve të “natalmedia”

 

SHPËRNDAJE:

Related posts